Si vend “pjesërisht i lirë” është përcaktuar Kosova në raportin e fundit të Freedom House, i publikuar më 19 mars.

Në raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, Kosova ka një përmirësim të vogël krahasuar me vitin 2025. Vlerësohet 61 pikë nga 100. Vetëm një më shumë se vitin e kaluar.

Në raport, ndër të tjera thuhet se “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”.

Aty përmendet edhe kriza politike e vitit të kaluar, duke rikujtuar se vendi u qeveris nga qeveria në detyrë. Theksohet se bllokada zbehu përparimet e Kosovës në pavarësinë gjyqësore.

“Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.

Sa i përket vendeve të rajonit, Serbia qëndron më së keqi. Vlerësohet me 53 pikë. Bosnje e Hercegovina pak më lartë me 54 pikë.

Më së larti në këtë raport nga rajoni vlerësohet Shqipëria, me 69 pikë nga 100. Pas saj është Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë.