Një slogan “Të përbashkuar në Gjakovë”, në fakt, do të ishte ironikisht një kthesë e re në raportet qeveritare e politike mes Kosovës dhe Serbisë.
Një mbledhje e të dy qeverive, e paraparë të mbahej në këtë qytet më 14 qershor 2023, do të anulohej për shkak të zhvillimeve dramatike në raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ku në mes hynte edhe Shqipëria.
Ky moment do të shënonte edhe përfundimin e një tradite të krijuar që nga viti 2014 mes dy qeverive për mbledhje të përbashkëta, ku nënshkruheshin edhe marrëveshje.
Mbledhja e fundit mes të dy qeverive u mbajt më 20 qershor të vitit 2022.
Asokohe, kur mbledhja e paraparë do të mbahej në Gjakovë, Edi Rama po përpiqej të propozonte një draft të Statutit të Asociacionit për Komuna me Shumicë Serbe – si një opsion për dalje nga kriza e dialogut ku kishte hyrë Kosova, e shoqëruar me tensione në veri të vendit.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, raportet Kosovë–Shqipëri u ftohën, ndërsa Kosova mori më pas një shuplakë nga Bashkimi Evropian, që vendosi masa ndëshkuese të cilat vazhdojnë edhe sot.
Këto masa përfshijnë pezullime projektesh me vlerë milionëshe, por edhe ngecje në proceset integruese.
“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe, pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë, në një format më të ngushtë – përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes – për të diskutuar pikërisht për këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit e ka vendosur gishtin faktikisht në butonin që do të vë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, deklaroi Rama në qershor të vitit 2023.
“Për fat të keq dhe me shumë keqardhje, më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për ndryshimin e formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, dhe kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot”, shtoi Rama.
Nga Qeveria e Kosovës kishin relativizuar tensionet përreth, por ishin marrë me çështjet që pritej të diskutoheshin në atë mbledhje.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të mëdha organizative, të cilave u paraprin një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do të humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”, theksonte asokohe Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Mbledhje mes dy qeverive nuk janë mbajtur as në vitin 2024 dhe as në 2025.
Raportet duken ende të ftohta. Kjo u pa edhe në protestën në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u mbajt në Tiranë dhe së cilës Edi Rama i dha jehonë të madhe.
Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet në Kosovë, lëshoi një komunikatë ku akuzoi Ramën se kishte lobuar për aprovimin e Gjykatës Speciale dhe se nuk kishte bërë asgjë për të adresuar shkeljet që po ndodhnin në këtë gjykatë.
Nëse me Shqipërinë nuk pati mbledhje në vitin 2024, Qeveria e Albin Kurtit mbajti një të ngjashme me atë të Maqedonisë së Veriut.
Ajo u mbajt më 18 nëntor 2024, në Prishtinë.
Mbledhjet mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës nisën në vitin 2014, kur Hashim Thaçi ishte kryeministër. E para u mbajt në Prizren.

E dyta, në vitin 2015, në Tiranë, kur në Kosovë ishte kryeministër Isa Mustafa.
Në vitin 2016 u mbajt në Prishtinë, ndërsa në vitin 2017 në Korçë, kur kryeministër i Kosovës ishte Ramush Haradinaj.

Në vitin 2018 u mbajt në Pejë, ndërsa në vitin 2020, me kryeministër Avdullah Hotin, në Tiranë.

Me kryeministër Albin Kurtin, në vitin 2021 dhe 2022 u mbajtën dy të tjera – një në Elbasan dhe tjetra në Prishtinë.









