Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka reaguar pas deklaratës së një mërgimtari në Kuvend, i cili kërkoi që Ramush Haradinaj të pushkatohet.

Gjini e cilësoi këtë si rezultat të një “platforme mbi dhjetëvjeçare propaganduese”.

“Thirrjet vëllavrasëse në shtëpinë e ligjit nuk janë të rastësishme”, ka shkruar Gjini.

Ai tha se deklarata kundër Haradinajt është “manifestimi i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare”.

“Deklarata e sotme monstruoze kundër Ramush Haradinajt është thjesht manifestimi i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës arkitektët e saj sot heshtën në sallë. Ky instrumentalizim i rrezikshëm nuk përfaqëson mërgatën tonë patriotike, por rezultatin e një inxhinierie të mbrapshtë politike, ku prokuroria e shtetit duhet të ndërhyjë urgjentisht. tha Gjini.

Sipas Gjinit, për këtë rast “prokuroria e shtetit duhet të ndërhyjë urgjentisht”.

“Ramush Haradinajn mund ta shihni vetëm nga larg, sepse atë e mbron historia, populli dhe ai vetveten”, ka deklaruar Gjini.