Procedura për dy të akuzuarit – Millosh Radosavljeviç dhe Dushan Dobrac – për barrikadat në Veri, përkatësisht në Zveçan, në vitin 2022, është veçuar në seancën fillestare që u mbajt të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që ata kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.

Në rastin në fjalë, Dushan Maksimoviç, Millosh Radosavljeviç, Nemanja Joloviç, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniç dhe Nenad Orloviç, akuzohen për veprën penale kundër rendit kushtetues, saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën  e Zveçanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ramadan Beqiri, gjyqtari i rastit, bëri me dije se në seancë mungon i akuzuari Nenad Orloviç, për të cilin Gjykata ka përsëritur urdhërarrestin dhe se nga raporti i Policisë i datës 27 gusht 2026, konstatohet se Policia ka shkuar ta ekzekutojë urdhërarrestin, por i akuzuari nuk është gjetur në vendbanim, kurse fqinjët kanë deklaruar se jeton në Serbi.

Në seancë mungoi edhe avokati Petroviç për të cilin i mbrojturi i tij Joloviç deklaroi se ka folur në telefon dhe e ka njoftuar se është përfshirë në një aksident në komunikacion.

Mungoi edhe Bogdan Llaziç, avokati i Vuçiniç, i cili përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore.

Prezent në gjykim ishin Prokurori Special, Admir Shala, i akuzuari Maksimoviç me avokatin Millosh Nikoliç, i akuzuari Milosh Radosavljeviç me avokatin Mahmut Halimi, i akuzuari Dushan Dobrac me avokatin Boban Petkoviç, i akuzuari Sërgjan Vuçiniç, i akuzuari Nemanja Joloviç, si dhe mbrojtësja e Orloviç, avokatja Donjeta Leka.

Me qëllim të sqarimit të mungesës së avokatit Petroviç, gjykatësi Beqiri ndërpreu seancën për 5 minuta. Më pas, në seancë u paraqit avokati Petroviç.

Por, pas kësaj pauze, gjykatësi tha se për shkak të mungesës së të akuzuarit Nenad Orloviq dhe avokatit Bogdan Llaziç, dhe duke qenë se kanë në shkresa të lëndës dy marrëveshje për të akuzuarit Millosh Radosavljeviç dhe Dushan Dobrac, Gjykata i ftoi palët për mundësinë e veçimit të procedurës, e që të hënën të vazhdojnë me marrëveshjet për pranim fajësie me dy të akuzuarit Radosavljeviq dhe Dobrac.

Prokurori Shala tha se nuk e kundërshtojnë veçimin e procedurës, për qëllim të ekonomizimit të procedurës.

Edhe mbrojtësi i Radosavljeviç, avokati Mahmut Halimi propozoi të veçohet procedura për shkak të marrëveshjes për pranim fajësie.

Gjithashtu, mbrojtësi i Dobrac, avokati Boban Petkoviç nuk e kundërshtoi veçimin e procedurës, duke pasur parasysh arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie.

Fjalët e avokatëve të tyre i mbështetën dy të akuzuarit që kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie.

Gjykatësi Beqiri tha se duke qenë se Gjykata i ka dëgjuar palët dhe pasi që për dy të akuzuar kemi marrëveshje për pranim të fajësisë, atëherë me aktvendim veçohet procedura për të akuzuarit Radosavljeviç për veprën penale ‘Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetuese dhe Dobrac për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Nga ana tjetër, në mungesë të të akuzuarit Orloviç dhe avokatit Llaziq, seanca fillestare u shty për 15 shtator.

Prokuroria Speciale, më 10 qershor 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj Dushan Maksimoviç – i shpallur fajtor dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për sulmi në Banjskë – Milosh Radosavljeviç, Nemanja Joloviç, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniç dhe Nenad Orloviç, për vepra penale kundër rendit kushtetues, konkretisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën  e Zveçanit.

Aktakuza thotë se grupi kriminal u udhëhoq nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, i cili deri tash është i paarritshëm për drejtësinë.