Afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit i kanë mbetur edhe 10 ditë. Derisa këtij afati po i vjen fundi, partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje. Nëse deri më 29 prill, deputetët e Kuvendit nuk e zgjedhin të parin e shtetit, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën e 16 prillit se është në komunikim me partitë opozitare, por pa treguar se me kë saktësisht. Ai theksoi se kur të ka rezultate do të njoftojë.

“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, tha Kurti të mërkurën, fjali që e përsëriti edhe të enjten.

Për çështjen e Presidentit ka folur edhe njëri nga të propozuarit për këtë pozitë, Glauk Konjufca, i cili aktualisht mban pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme.

Pasi që tentoi që ta fajësojë opozitën për bllokadën e krijuar, ai deklaroi po të mërkurën se është i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura për President nëse opozita e propozon një emër të pranueshëm për Vetëvendosjen.

“Në momentin që opozita e qet një kandidat të përbashkët, unë menjëherë do ta bëja këtë punë, gjëja e parë që do ta bëja. Shumë më e rëndësishme është që Kosova ta ketë Presidentin e vetë se sa ai ta ketë emrin Glauk Konjufca”, tha Konjufca.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se janë në bisedime për këtë temë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Kryetari Lumir Abdixhiku janë në bisedime për t’i dhënë vendit President”, shkroi Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së në Facebook të hënën e 15 prillit, ku demantoi disa media që raportuan gjoja për një marrëveshje mes LDK-së dhe VV-së, përmes të cilës Haziri do të bëhej Kryetar i Kuvendit, ndërsa Albulena Haxhiu Presidente.

Kosova që nga 5 prilli është me ushtrues detyre të Presidentit. Pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Vjosa Osmanit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, mori përkohësisht edhe postin e të parës së shtetit.

Takime mes krerëve të partive politike për çështjen e Presidentit nuk ka pasur që nga 6 prilli. Ishin takuar Kryeministri Kurti dhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Por, nuk pati ndonjë rezultat.

Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë afat deputetëve 34 ditë për ta zgjidhur Presidentin, kur kishte marrë vendim për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Pas vendimit të Kushtetueses, Kurti është takuar vetëm me Kryetarin e LDK-së dhe jo me atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

PDK ka bërë të qartë se nuk i mbështesin dy emrat aktualë – Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun – derisa për takim me Kurtin kanë thënë se po e presin ftesën e tij, të cilën, siç theksojnë ata, nuk e ka bërë.