Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës, ka vendosur që të mërkurën të zhvillojë një protestë, në solidarizim me familjet e punëtorëve që kanë vdekur në vendin e punës.

Protesta do të fillojë nga ora 8:00.

“Të mërkurën në ora 08:00 Sindikata e Re e KEK-ut së bashku me të gjithë punëtorët në tri divizione do të protestojë dhe do të solidarizohet me familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës”, ka thënë Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari.

Ndër të tjera, ai tregoi se do të shprehet pakënaqësi edhe për kushtet e punës, të cilat potencon se janë jashtëzakonisht të vështira.

“Sot është diskutuar gjerë e gjatë për kushtet e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe është vlerësuar e është konstatuar se kushtet janë jashtëzakonisht të vështira në punë, por edhe siguria e punëtorëve dhe pajisjet mbrojtëse janë mungesë jashtëzakonisht e madhe në Korporatën Energjetike të Kosovës. Prandaj, si Kryesi morëm vendim që të mërkurën, në orën 08:00 të mëngjesit, në tri divizionet të shprehim pakënaqësinë tonë për pajisjet mbrojtëse dhe për kushtet e punëtorëve në punë”, shtoi Jashari.

KEK-u kishte njoftuar se më 17 dhe 20 gusht, dy punëtorë kishin vdekur si pasojë e aksidenteve të rënda në vendin e punës.