Ende pa kaluar as një vit presje Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se është rritur numri ankesave nga qytetarët për zyrtarët policorë, pesë prej tyre u arrestuan si të dyshuar për vdekjen Agon Zejnullahut në Lipjan të hënën e shtatë korrikut.

Në raportin e IPK-së që u publikua në fundvit, thuhet se ankesat vijnë kryesisht si rezultat i “keqkomunikimit në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve e që në disa raste përfundon me përdorim të forcës” dhe se për këtë janë suspenduar 91 zyrtarë policorë.

Sipas raportit, vitin e kaluar IPK-ja ka pranuar rreth 2046 ankesa për punën e policëve nga qytetarët nga të gjitha qytetet e Kosovës.

E një prej ankesave më të shpeshta të qytetarëve sipas raportit, ka qenë për tejkalim të përdorimit të forcës nga zyrtarët policorë.

“Kemi hetuar 190 të dyshuar (175 punonjës policorë dhe 15 qytetarë); Kemi ngritur 86 kallëzime penale ndaj të dyshuarve për vepra kriminale; Kemi arrestuar 22 punonjës dhe qytetarë nën dyshimin për përfshirje në krim; Kemi rekomanduarsuspendimin e 91 punonjësve policorë”, thuhet në raport.

Pos ankesave ndaj policëve, nga shoqëria civile e avokatë pati ankesa për ngarendje të shtetit për të nxjerrë sa më shumë gjenerata kadetësh, duke e kthyer kësisoj Policinë në “ent social të punësimit”.

Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit u bë ulja nga gjashtë në tre muaj kohëzgjatje e trajnimit bazik të kadetëve të rinj.

Lidhur me këtë çështje, pas vdekjes së 27 vjeçarit nga Lipjani në duart e policëve, e të cilët tashmë janë prangosur, ka reaguar edhe Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

“A është kjo si rezultat i politikave të reja të LV që policët e rinj nga shkollat e mesme të bëhen policë me një trajnim prej vetëm 12 javësh?”, ka pyetur Miftaraj në Facebook.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë patën njoftuar se vendimi është marrë në përshtatje me “nevojat dhe kërkesat e saj operative”.

“Modulet e parapara që të zhvillohen me kadetë policorë, janë fuzionuar dhe janë inkorporuar temat gjithëpërfshirëse, me ç’rast plan-programi i trajnimit profesional ‘zyrtar policor’ zhvillohet në kohëzgjatje prej 12 javësh, apo tre muajsh”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Kritikat ndaj zyrtarëve policorë janë shtuar ditëve të fundit.

Pesë nga ta janë arrestuar si të dyshuar për vdekjen Agon Zejnullahut, i cili ishte prangosur për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë, pasi dyshohej se ishte i dehur.

Por, ky nuk është rasti i parë ku zyrtarët policorë dyshohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Në fillim të këtij muaji, në rrjetet sociale dolën pamje që tregonin dhunën e ushtruar të një zyrtari policor ndaj një personi të prangosur.