Spitali i Prizrenit ka dhënë detaje në lidhje me vdekjen e 26 vjeçares, të cilës iu përkeqësua gjendja gjatë kohës kur po intervistohej në stacionin policor, në një rast ku u sekuestruan mbi 100 gramë substancë narkotike të llojit kokainë.
Nga ky spital kanë thënë se rreth orës 19:00, nga Policia e Kosovës, 26 vjeçarja është dërguar në Emergjencën e spitalit, me dyshimin për gëlltitjen e një qeseje që dyshohej se përmbante substancë narkotike.
Me rastin e pranimit, spitali thekson se pacientes i janë kryer ekzaminimet e nevojshme diagnostike, përfshirë ekzaminimin radiologjik (RTG nativ të traktit torako-abdominal), ultrazërin e abdomenit, si dhe ekzaminimin gjinekologjik. “Sipas rezultateve të ekzaminimeve të realizuara, nuk janë evidentuar gjetje pozitive. Pacientja ka qenë në gjendje stabile shëndetësore dhe, pas vlerësimit mjekësor, është liruar nga emergjenca”.
Por, rreth orës 01:00, pas mesnate, e njëjta paciente është dërguar sërish në Emergjencë.
“Rreth orës 00:45, e njëjta paciente është sjellë sërish në Shërbimin e Emergjencës, nga ekipi i Urgjencës dhe nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, pa shenja vitale. Menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të reanimimit kardiopulmonar (RKP), si dhe është konsultuar mjeku anesteziolog. Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra nga ekipi mjekësor, pacientja ka përfunduar me exitus letalis”.
Duke treguar për këtë rast, Polica ka thënë se më 15 nëntor, rreth orës 18:00, në Vermicë, është ndaluat vetura BMW, me targa lokale, në të cilën gjendeshin dy persona të dyshuar, një mashkull dhe një femër. Të dy shtetas kosovarë.
Gjatë kontrollit të veturës, Policia tha se janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm, dhe dy telefona celularë.
“Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë, ku me urdhër të prokurorit kompetent është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç‘rast është gjetur dhe është konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS dhe kamerave”.
Bëhet me dije se palëve iu është caktuar avokati mbrojtës, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit mashkull kosovar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa e dyshuara femër kosovare përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, “i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren”.
Nga policia thonë se rreth orës 01:30, janë njoftuar se 26 vjeçarja ka vdekur.
“Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, Polica thekson se janë njoftuar njësitet përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, IPK-ja si dhe prokurori kujdestar.
Të gjitha njësitë kompetente policore, përfshirë Hetuesinë dhe Forenzikën, thuhet se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit.
Pas përfundimit të procedurave fillestare hetimore dhe sigurimit të dokumentacionit përkatës mjekësor, me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
E gjithë ngjarja, nga Policia dhe Prokuroria e Prizrenit është thënë se po hetohet si “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoke”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Hetim i vdekjes”.









