Punonjësit e Trafikut Urban do të vazhdojë edhe sot. Tashmë janë bërë më shumë se një javë që ata janë duke protestuar, për shkak të mos pagesës. Komuna e Prishtinës ka thënë se Ministria e Financave ende nuk i ka bartur fondet.

Mijëra qytetarë janë detyruar që të gjejnë zgjidhje alternative për të lëvizur në mungesë të transportit publik.

Përfaqësues të trafikut urban dhe atyre privatë kanë njoftuar se protestat do t’i vazhdojnë derisa mjetet financiare t’u dalin në llogaritë bankare.

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur të enjten, kanë votuar pro bartjes së mjeteve vetanake të vitit të kaluar në vitin 2025, të cilat kapin vlerën e 28 milionëve, por duket se mjetet ende nuk janë transferuar kompanive.

“Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta, njëjtë nga ora 10:00 deri në 12:00. Kjo do të vazhdojë derisa t’i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, ka deklaruar Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban.

Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se deri më sot, mjetet financiare ende nuk janë bartur nga Ministria e Financave në buxhetin e kryeqytetit, përkundër vendimit të asamblesë për bartjen e mjeteve.

“Në momentin që mjetet alokohen në buxhetin e Komunës së Prishtinës, qytetarët do të informohen menjëherë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit”.

Nga Sindikata e “Trafikut Urban” kanë thënë se punëtorët e kësaj ndërmarrje nuk i kanë marrë pagat që dy muaj, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë euro.