“As propaganda e financuar me rubla dhe as skemat e sofistikuara të KGB-së nuk e sabotojnë dot Aeroportin e Vlorës. Koha e agjentëve dhe e bllokimeve nga Lindja ka perënduar”.

Kështu i ka thënë pronari i Kompanisë A2 Group, Valon Ademi, biznesmenit Behgjet Pacollit, pas akuzave të këtij të fundit në lidhje me Aeroportin e Vlorës, për të cilin Gjykata e Apelit në Tiranë i ka dhënë të drejtën Ademit që ta administrojë.

“Emisar, unë e njoh shumë mirë strategjinë tënde, pasi e kuptoj qartë që ‘ujku do mjegull’. Për këtë taktikë, ti je i shkolluar dhe i trajnuar prej kohësh nga shefat e tu, ndaj dhe strategjinë e mjegullës di ta zbatosh me mjeshtëri. Megjithatë, nëse kjo qasje mund të funksionojë për të hutuar opinionin publik, me mua të ka dështuar”, ka thënë Ademi në një reagim të publikuar nga kompania e tij.

Ai i tha Pacollit se është një agjent për të marrë në kontroll Aeroportin e Vlorës, dhe se lufta e tij është me kolegun e tij, Bart Turtelboom.

“Siç ta kam bërë të qartë: me ty, emisar, unë nuk kam asnjë problem sepse ti nuk je as aktor dhe as faktor në këtë mes; je thjesht një agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. Lufta ime është me kolegun tënd, Bart Turtelboom, i cili është ekzekutori i skemës financiare dhe juridike për t’ua dorëzuar këtë aset kombëtar shefave tuaj, atje ku i keni”.

Pacolli, sipas Ademit, detyrën e tij po e zbaton me përpikëri, “sipas udhëzimeve”, derisa tregoi edhe për një ofertë që Pacolli ia kishte bërë për ta shitur Aeroportin e Vlorës, por që e kishte refuzuar.

“Ndaj, ti nuk ke faj që unë e refuzova ofertën tënde prej 80 milionë eurosh në shkurt të vitit 2025, për t’ia shitur aeroportin atyre që ti i di mirë. Madje, kur unë e refuzova atë ofertë pikërisht për shkak të asaj që ata përfaqësojnë, ti më the tekstualisht: ‘Mos u shqetëso, sepse pronar formal do të vazhdoj të figuroj Mabco’”.

Ai thekson se refuzimi i prerë i tij i asaj oferte “është zanafilla e kësaj situate të cilën po e përballoj edhe sot”. “‘Gabimi’ im i vetëm ishte refuzimi për ta shitur Aeroportin e Vlorës atje ku ti kishe marrë urdhër ta dorëzoje”.

“Deri më sot, shumë detaje i kam mbajtur larg vëmendjes publike, duke pritur që organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre, në mos atë ligjore, të paktën atë patriotike. E kam bërë betejën time në heshtje, në respekt të institucioneve. Por, edhe pse ata që duhej të reagonin heshtën, unë nuk do të ndalem, kurrë”.

“Emisar, tregoj shefave të tu, se unë nuk shitem, nuk intimidohem, nuk frikësohem dhe nuk dorëzohem kurrë përballë tyre! Tregoju se paraja e tyre, për mua s’ka asnjë vlerë. Ata mund të blejnë gazetarë, media e portale, por Aeroportin e Vlorës nuk do ta blejnë kurrë”.

Ai vazhdoi t’i drejtohet Pacollit, duke i thënë se ai dhe as propaganda e tij “me mercenarë e zagarë nuk më intimidon, sepse, në të gjithë këtë proces të Aeroportit të Vlorës, i vetmi njeri i shitur, i blerë dhe i komprometuar je ti”.

“Dil e tregoju shqiptarëve se kush fshihet pas “Compartment Bernina”. Dil e tregoju me sa rubla u pagove. Dil e tregoju se te gjitha veprimet po i bën vetëm për interes të Compartment Bernina-s, interesa këto që bien ndesh me interesin publik, atëherë mund të marrësh guximin të përmendësh emrin tim”.

“Ti emisar, edhe mashtrimet i bën për të mbuluar atë se çfarë në të vërtetë je, sepse ti nuk je emisar për një mision, por ti je agjent me mision të përjetshëm, sepse ti shpirtin edhe dinjitetin e ke shitur me kohë, e tash vepron me urdhra nga atje ku je shitur! Turp të qoftë emri Behgjet e mbiemri Pacolli!”.

Pacolli dhe Ademi kanë qenë ortak në projektin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Por, më pas dyshohet se Pacolli ka bërë një kontratë të dyshimtë, ku aksionet e tij dhe të partnerit të tij (pa dijeninë e partnerit) ia kishte shitur një kompanie offshore guackë me emrin Compartment Bernina, e cila përfundimisht del të jetë me lidhje ruse.

Aktualisht Pacolli, bashkë me të vëllain e tij, Emin Pacolli dhe administratorin e kompanisë së tyre në Shqipëri, Nelson Çela, po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për “mashtrim me pasoja të rënda”, “mashtrim kompjuterik”, si dhe “falsifikim të dokumenteve”.

Dyshimet e Prokurorisë janë se Pacolli në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme, pasi ka mashtruar partnerin e tij fillimisht, më pas e ka bartur aeroportin e Vlorës në pronësi të një kompanie, përmes një kontrate që praktikisht ua merr fuqinë vendimmarrëse aksionarëve dhe e kalon atë te kompania.