Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do t’i prijë listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, ka prezantuar të dielën edhe dy kandidatë për deputetë: Visar Xanin dhe Besim Kodrën.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se për më shumë se tetëmbëdhjetë vjet, puna e Xanit lidhet ngushtë me fjalën publike.

Foto: Vjosa Osmani

“Visari i përket atij brezi që e njohu Kosovën në lëvizje, në debat, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u bërë shtet më i fortë e më i drejtë. Fillimisht si gazetar e analist politik, me syrin kritik ndaj zhvillimeve shoqërore e politike, e më pas brenda vetë institucioneve, aty ku fjala duhet të shndërrohet në përgjegjësi dhe puna në rezultat”, shkroi ajo.

“Në organizata ndërkombëtare dhe në administratë publike, Visari ka sjellë qetësinë e njerëzve që e kuptojnë shtetin si një projekt në të cilin duhet të punohet ditë pas dite. Visari ka kontribuar në reforma, në komunikim institucional dhe në formimin profesional të shumë zyrtarëve në Kosovë, në veçanti me rolin e tij si Koordinatori Nacional i RESPA-s për Kosovën”, shtoi ajo.

Për Kodrën, Osmani theksoi se për më shumë se një dekadë, “ai ka qenë pranë pacientëve dhe familjeve të tyre, aty ku njerëzit kanë pasur nevojë për ndihmë, dinjitet, mbështetje dhe shpresë”.

“Besimi zgjodhi përherë angazhimin. Ai zgjodhi të bëhet zë për ata që shpesh nuk kanë pasur përfaqësim. Për pacientët. Për familjet që luftojnë çdo ditë. Për qytetarët që kërkojnë të drejtat e tyre”.

Foto: Vjosa Osmani

Përmes Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), ish-Presidentja pohoi se Besimi “ka dëshmuar se humanizmi është përkushtim i përditshëm ndaj njerëzve”.

“Këtë mision Besimi do ta vazhdojë në një tjetër betejë: për ta përfaqësuar kauzën e pacientëve në Kuvend”.

Në listën e LDK-së, Osmani do t’i ketë 20 kandidatë për deputetë.

Së fundmi, asaj i janë bashkuar edhe disa ish-deputetë të Vetëvendosjes, si Haxhi Avdyli, Jeta Statovci e Albena Reshitaj.