Trashëgimia kulturore e Kosovës është pasuruar me 13 asete të reja, të cilat janë përfshirë në listën e mbrojtjes së përkohshme. Në mesin e tyre është edhe kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës dhe Sportit, Saranda Bogujevci, e cila ka përmendur edhe disa asete të tjera të përfshira në listë, përfshirë Gjytetin e Gjyrgjedellit në Kaçanik, Kalanë e Dafinës në Rahovec dhe Kullën e Asllanit në Tërdec të Drenasit.

Ndërkohë, më 11 shtator 2026, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës publike në lokacionin e njohur si Tulltorja, për një periudhë prej 50 vjetësh.

Vendimi u shoqërua me tensione në seancën e jashtëzakonshme, pasi asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtuan dhënien e pronës në shfrytëzim një investitori privat.

Rama, në anën tjetër, deklaroi se prona nuk po shitej dhe as nuk po falej, por po jepej në shfrytëzim, nga e cila Komuna do të përfitonte financiarisht.

“Kjo tokë nuk falet, toka mbetet pronë e kryeqytetit, jepet në shfrytëzim dhe për këtë shfrytëzim, kryeqyteti përfiton 1 milion euro çdo vit, 50 vjet, mbi 50 milionë. Dhe pas përfundimit të periudhës së shfrytëzimit, jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar në të mbetet i kryeqytetit”, kishte deklaruar Rama.

Fabrika “IMN Kosova”, e njohur si Tulltorja, shërbente për prodhimin e tullave dhe deri në kohën e luftës funksiononte 24 orë në ditë. Për një periudhë të gjatë pas luftës, ajo nuk ka qenë funksionale.