Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se janë dakorduar me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në takimin e radhës të shkojnë me emra konkretë për pozitën e Presidentit.

Këto komente, Abdixhiku i bëri në një konferencë për media, pas takimit dy orësh që e pati me Kurtin.

“U dakorduam që të vijmë me emra konkret në takimet e ardhshme, por që në fund të ketë një emër, sepse s’mund të ketë disa”, deklaroi Abdixhiku për gazetarë nga oborri i Kuvendit.

Kreu i LDK-së theksoi se “ka vullnet të dyanshëm” për profilin e Presidentit, por tha se i duhen konsultime të brendshme të dy palëve.

“Diskutuam për kriteret dhe profilin potencial të Presidentit/es së ardhshme të Kosovës. Ka vullnet të dyanshëm për profilin se si do të duket një President dhe mbi të gjitha mbi kriteret që ky President/e duhet t’i ketë”.

“Këto kritere janë të qarta… Një President që e do Republikën, e mbron Republikën, e ushtron demokracinë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe një figurë që e shtron unitetin politik ashtu siç i takon me Kushtetutë”.

“I bindur se Kosova figura të tilla, por gjendja dhe çështja dhe tema në përgjithësi është shumë sensitive dhe kërkuam periudhë diskutuese të brendshme, brenda subjekteve tona. Dhe konsultative edhe me shoqërinë, secili në mënyrën e vet, para se të vijmë me emra konkret në takimin e ardhshëm”.

Abdixhiku theksoi se është i vetëdijshëm që fokusi i popullit është për emra specifik, por për këtë, si tha se “na duhet ende kohë”.

“Meqë po flitet për emra, atëherë duhet të kemi konsultime të brendshme, jo vendime. Sepse, vendime duhet të merret pasi që të ketë dakordime politik për një emër të caktuar, pra çështja është me e komplikuar”.