James Rubin, ish-ndihmës sekretari i shtetit në kohën e Madeleine Albright, do të vazhdojë dëshminë e tij edhe sot (e mërkurë, 17 gusht) në ditën e tretë si dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Për dy ditë, ai ofroi të vërtetën e tij historike duke çrrënjosur narrativen e prokurorisë speciale për UÇK-në si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, si dhe duke diskredituar procesin e padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në ditën e parë, Rubin shpjegonte se si Thaçi nuk përbënte një personalitet me autoritet të plotë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare.
“…(Thaçi) nuk kishte autoritet, as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, por thjeshtë pasqyronte vendimet që merreshin”, tha James Rubin.
Ndërkaq në ditën e tij të dytë si dëshmitar, Rubin shprehi shqetësimin e tij për faktin që dikush ka qëndruar për 5 vjet në paraburgim, duke theksuar indinjatën e tij të thellë ndaj këtij procesi që ai e cilëson si ndërhyrje e politikës në sundimin e ligjit.
“Që politika të ndërhyjë në sundimin e ligjit, kjo më shqetëson. Më shqetëson që ai do të ishte në burg për pesë vjet para se një çështje të mund të fillonte të ndiqej penalisht, kur ai ishte vetëofruar dhe nuk i ishte dhënë asnjë lirim me kusht. Dikush që po tregonte gatishmëri të paraqitej në gjykatë në çdo mënyrë të mundshme”, tha ndër të tjera Rubin.