Meqë Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ka dështuar edhe seanca e 43-të.
55 deputetë kanë votuar pro themelimit të komisionit për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin, asnjë kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar.
PDK, LDK e AAK po kërkojnë nga Vetëvendosje të gjendet një kandidat konsensual për të parin e Kuvendit, mirëpo kjo e fundit po insiston për Haxhiun.
Subjekti i Albin Kurtit preferon që fillimisht të shkohet me votim të fshehtë, e që në rast se Haxhiu s’merr votat e mjaftueshme, të propozohet kandidat i ri.
Vendimi i Gjykatës Kushtetueses – i publikuar më 26 qershor – ndonëse i njëjtë për të gjithë, u interpretua ndryshe nga partia në pushtet, e ndryshe nga opozita. Të gjitha palët pretenduan se Kushtetuesja u dha të drejtë qëndrimeve të tyre.
Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza.
Ajo e përmendi edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë. Seanca e radhës është caktuar për të mërkurën në orën 11:00.









