Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), janë mbledhur sërish të hënën para ndërtesës së Qeverisë, për të, siç thanë ata, mos lejuar Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, të hyjë në zyrën e Kryeministrisë.

Në një prononcim para mediave, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, deklaroi se Kurti e ka “uzurpuar” pozitën e Kryeministrit.

“Jam këtu bashkë me krejt kolegët e mi nga Partia Demokratike e Kosovës për të bërë një pyetje të vetme për deputetin Kurti, i cili ka uzurpuar pozitën e kryeministrit bashkë me ministrat e tij. Që nga dita kur e kanë dhënë betimin si deputet, jo por që nga certifikimi i rezultateve, ata qëndrojnë ilegalisht në pozicionet të cilat i ushtrojnë edhe sot, për çka dhe ne jemi mbledhur sot këtu për të mos e lejuar hyrjen e tij në zyrat e kryeministrisë”, tha Hoxha.

Ky aksion i PDK-së është duke vazhduar tash e disa ditë. Ata po kërkojnë që të thirret seanca konstituive e Kuvendit, derisa po e akuzojnë VV-në për “cenim të rendit kushtetues”, pasi që, përkundër se i kanë votat, nuk po e konstituojnë Kuvendin.

Në këtë drejtim, Hoxha i kërkoi Kurtit që në vend të bllokimit të thirret seanca konstituive dhe të propozojë kandidat për Kryetar të Kuvendit.

“Zotëri Kurti duhet ta kuptojë që në vend se ta sabotojë Kuvendin, të vijë aty të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Dhe ajo është qëllimi parësor dhe puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit. Ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve të legjislaturës”, shtoi ajo.

Sipas afateve kushtetuese, Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të konstituohej më 7 gusht, por nuk ka ndodhur.

Një seancë u thirr më 6 gusht, por VV-ja nuk propozoi kandidat për Kryetar. Kurti, nga foltorja e Kuvendit, kërkoi kohë për të arritur një marrëveshje politike me partitë e tjera për formimin e institucioneve, posaçërisht atë të Presidentit.

Seanca tjetër u thirr nga Kryesuesi Avni Dehari – deputet nga radhët e VV-së – më 8 gusht, një ditë pas afatit.

Opozita, veçanërisht PDK-ja dhe Aleanca, po kërkojnë vazhdimisht që të ftohet seanca konstituive. Edhe të dielën shkuan në Kuvend pikërisht për këtë çështje, mirëpo salla ku mbahet seanca plenare ishte e mbyllur dhe nuk munden që të hynë brenda.

VV-ja nga ana tjetër, përmes kryesuesit Dehari, përkundër se janë shkelur afatet kushtetuese, kanë thënë se nuk do ta ftojnë pa arritur një marrëveshje politike për çështjen e Presidentit.