Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, gara për të parin e Komunës të dielën (nesër 12 tetor), pritet të jetë një nga më të ngushtat e viteve të fundit. Në garë janë Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Rama i LDK-së, Uran Isamili i PDK-së, Bekë Berisha i AAK-së, Besa Shahini e PSD-së, Merkur Beqiri i Alternativës dhe disa kandidatë të pavarur.

Kësaj radhe, gara kryesore zhvillohet mes tre kandidatëve. Njëri kërkon një shans të dytë, tjetri lë ekzekutivin qendror për komunën, një tjetër kthehet në revansh, ndërsa të tjerët shfaqen si sfidantë në një garë pa gjasa reale për ta.

Prishtina, si qendër politike e Kosovës, reflekton më së miri klimën politike në nivel kombëtar. Qytetarët e saj shpesh tregojnë fleksibilitet në zgjedhjet lokale, duke dhënë votën për parti të ndryshme sipas situatës dhe kandidatëve.

Historiku i zgjedhjeve në Prishtinë nga 2007

Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, gara për Prishtinën shënoi një përplasje klasike ndërmjet LDK-së dhe PDK-së. Në raundin e parë, LDK fitoi 22 mijë e 954 vota, që përbënin 36.05 për qind të totalit, ndërsa PDK mori 15 mijë e 798 vota (24.81 për qind) dhe AKR 12 mijë e 316 vota (19.34 për qind). Raundi i dytë u zhvillua më 8 dhjetor 2007 dhe përballi Isa Mustafën nga LDK dhe Fatmir Limajn nga PDK. Mustafa fitoi me 30 mijë e 198 vota (58.23 për qind), ndërsa Limaj mori 21 mijë e 664 vota (41.77 për qind). Ky rezultat konfirmoi dominimin e LDK-së në kryeqytet, por tregoi edhe rritjen e ndjeshme të PDK-së.

Viti 2009: Konsolidimi i LDK-së me Isa Mustafën

Në zgjedhjet e vitit 2009, LDK e forcoi edhe më tej pozicionin e saj. Isa Mustafa fitoi bindshëm në raundin e parë me 39 mijë e 306 vota (57.22 për qind), duke mos lënë nevojë për raund të dytë. Pas tij u renditën Vetim Gashi nga AKR me 15 mijë e 315 vota (22.29 për qind) dhe Astrit Salihu nga PDK me 8 mijë e 427 vota (12.27 për qind). Kjo ishte një periudhë kur LDK konsiderohej si sinonim i qeverisjes lokale në Prishtinë, dhe Isa Mustafa e ktheu komunën në bazë të fortë politike të partisë, që do t’i shërbente më vonë si trampolinë për postin e kryetarit të LDK-së dhe atë të Kryeministrit.

Zgjedhjet e vitit 2013: Fillimi i epokës së Vetëvendosjes

Zgjedhjet e vitit 2013 shënuan kthesën më të madhe në politikën lokale të kryeqytetit. Në raundin e parë, Isa Mustafa nga LDK kryesoi me 36 mijë e 755 vota (42.75 për qind), por Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje arriti 27 mijë e 415 vota (31.89 për qind), duke e dërguar garën në raundin e dytë. Aty, më 1 dhjetor 2013, Shpend Ahmeti përmbysi rezultatin duke fituar 37 mijë e 604 vota (51.80 për qind), përballë 34 mijë e 994 votave të Mustafës (48.20 për qind). Kjo fitore u pa si një ngjarje historike — për herë të parë pas luftës, LDK humbi Prishtinën, ndërsa Vetëvendosje e shndërroi kryeqytetin në bastion të saj politik.

Zgjedhjet e vitit 2017: Një balotazh i ngushtë

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Shpend Ahmeti kërkoi një mandat të dytë, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Në raundin e parë ai mori 38 mijë e 294 vota (43.61 për qind), përballë Arban Abrashit nga LDK me 31 mijë e 428 vota (35.79 për qind) dhe Selim Pacollit nga AKR me 8 mijë e 965 vota (10.21 për qind). Raundi i dytë u mbajt më 19 nëntor, ku Ahmeti fitoi për një diferencë minimale — 42 mijë e 262 vota (50.22 për qind) ndaj 41 mijë e 897 të Abrashit (49.78 për qind). Ky rezultat ishte ndër më të ngushtët në historinë elektorale të Prishtinës dhe konfirmoi se vota e qytetarëve ishte thellësisht e ndarë midis dy kampeve.

Zgjedhjet e vitit 2021: Kthimi i LDK-së në kryeqytet

Pas tetë vitesh nën drejtimin e Shpend Ahmetit, LDK arriti të rikthejë Prishtinën në zgjedhjet e vitit 2021. Në raundin e parë, Arben Vitia nga Vetëvendosje mori 36 mijë e 818 vota (42.54 për qind), ndërsa Përparim Rama nga LDK 25 mijë e 252 vota (29.17 për qind), e Uran Ismaili nga PDK 18 mijë e 771 vota (21.69 për qind). Raundi i dytë u zhvillua më 14 nëntor, ku Përparim Rama arriti të përmbysë rezultatin fillestar dhe të fitojë me 41 mijë e 746 vota (50.98 për qind), përballë 40 mijë e 143 votave (49.02 për qind) të Arben Vitisë. Me këtë fitore, LDK riktheu kontrollin e kryeqytetit pas gati një dekade.

Gara e 12 tetorit 2025

Në zgjedhjet që mbahen të dielën, më 12 tetor, Prishtina hyn në garë me një përbërje të dendur kandidatësh që reflekton rivalitetin e tri forcave të mëdha politike dhe një numër ofertash alternative. Hajrulla Çeku, aktualisht Ministër në detyrë i Kulturës, përfaqëson Vetëvendosjen në këtë garë. Përparim Rama, arkitekt i njohur dhe kryetar aktual i Prishtinës, kërkon një mandat të dytë nën siglën e LDK-së. PDK ka rikandiduar Uran Ismailin, ish-Ministër i Shëndetësisë, i cili në zgjedhjet e kaluara shënoi rezultatin më të mirë për këtë forcë politike në kryeqytet sa i përket votave dhe shihet si një nga kandidatët seriozë.

Përballë tyre, garon edhe Besa Shahini e PSD-së, Bekë Berisha i AAK-së, Merkur Beqiri i Alternativës dhe disa kandidatë të pavarur, por që janë pa gjasa.

Prishtina mbetet një test kyç për secilën parti politike. Vetëvendosja dëshiron rikthimin në drejtimin e kryeqytetit; LDK-ja konfirmimin e qeverisjes së saj; ndërsa PDK-ja kërkon të bëjë historinë – ta marrë në dorë udhëheqjen e kryeqytetit për herë të parë në histori.