Shkelje ligjore, buxhet i tejkaluar dhe subvencione të dyshimta. Këto janë disa nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Audiimit për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
ZKA-ja ka vërejtur që MKRS-ja në kundërshtim me kufizimet buxhetore të vendosura në vendimin për thirrje publike, kishte tejkaluar buxhetin e planifikuar me rastin e vlerësimit të projekteve, si dhe kishte subvencionuar institucione tjera të paplanifikuara me buxhet.
“Rritja e buxhetit për projekte prej 2.4 milionë në gati 5 milionë euro, angazhimi i 153 konsulentëve, mangësitë në proceset e rekrutimit të stafit, pozitat me ushtrues detyre në kundërshtim me ligjin e realizim i dobët i investimeve kapitale”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, MKRS-ja gjatë vitit 2024 kishte rritur mbështetjen e thirrjeve për përkrahjen e skenës së pavarur kulturore mbi 100 për qind.
“Në kundërshtim me kufizimet buxhetore të vendosura në vendimin për thirrje publike, kishte tejkaluar buxhetin e planifikuar me rastin e vlerësimit të projekteve, si dhe kishte subvencionuar institucione tjera të paplanifikuara me buxhet”, thuhet tutje në raport.
Auditorët e ZKA-së ka kanë hasur edhe një subvencionim të veçantë, ku MKRS-ja e udhëhequr nga Hajrulla Ceku ka subvencionuar Radio Televizionin e Kosovës me gati 150 mijë euro.
“Ka subvencionuar Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) në vlerë 140,000 € për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares së futbollit, pavarësisht se RTK është një medium publik dhe si i tillë financohet nga Kuvendi i Kosovës”, shkruhet në raport.
Po ashtu, raporti sqaron se MKRS-ja kishte ekzekutuar pagesa në kategori ekonomike joadekuate, në vlerë prej 662 mijë e 412 eurosh.