Partia Demokratike e Kosovës ia ka mundësuar Lëvizjes Vetëvendosjes zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Fushë Kosovë.
Vlonjat Hasani është asamblisti i VV-së që është zgjedhur sot si Kryesus i Asamblesë Komunale të Fushë Kosovës.
Zgjedhja e tij në këtë pozitë e kanë mundësuar tri votat e PDK-së. Rrahim Tërnava, Aida Jashari dhe Ermal Dumani janë asamblistët e PDK-së që e kanë votuar Hasanin.
Këta asamblistë të PDK-së votuan pro kandidatit të VV-së ndonëse në balotazhin e 9 nëntorit, kishin pasur koalicion me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besnik Osmani, i cili u mposht nga Valon Prebreza i VV-së.
Përveç zgjedhjes së Kryesuesit të Kuvendit Komunal, sot është betuar edhe Prebreza si Kryetar i Fushë Kosovës.
Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prebreza ka marrë 55,12 për qind ose 10,791 vota, ndërsa kundërkandidati i tij Osmani, ka siguruar 44,88 për qind, apo 8,786 vota.









