Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka qenë i suksesshëm në parandalimin e konflikteve dhe këtë e ka bërë edhe në rastin e Kosovës, madje, sipas saj, edhe në maj të këtij viti.
Kështu ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin prestigjioz amerikan, Fox News, duke thënë se Trump ka ndihmuar për ta ruajtur paqen dhe për të shpëtuar jetë.
“Presidenti Trump, ka qenë shumë i suksesshëm në parandalimin e përshkallëzimeve dhe në parandalimin e luftërave të tjera”, tha Osmani.
“Ekziston një kërcënim i vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Këtë maj pati qartë një tjetër përpjekje për tensione. Dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për t’i parandaluar ato nga përshkallëzimi…”, shtoi.
Intervista e plotë e Presidentes Osmani për Fox News:
Me ne tani është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është kënaqësi të ju shohim sërish. U takuam në ndeshjen e futbollit.
Po, u takuam. Shumë mirë t’ju shoh përsëri dhe ju falënderoj që më ftuat.
Në Kampionatin Botëror të Klubeve. Ju thoni se vendi juaj është vendi më pro-amerikan në botë. Pse?
Nuk është se vetëm e them. Ashtu është. Dhe ne e mbajmë me krenari si një shenjë nderi. Ka qenë kështu që nga viti 1999, kur ushtarët amerikanë erdhën për të shpëtuar jetët tona.
Sot ne ekzistojmë si një komb i lirë dhe sovran sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk qëndruan duarkryq, nuk mbyllën sytë ndaj vuajtjeve tona gjatë gjenocidit, por erdhën për të na shpëtuar dhe besuan në të drejtën tonë të dhënë nga Zoti për të qenë të lirë si komb.
Prandaj sot, mbi 97 për qind e popullit të Kosovës janë pro-amerikanë. Ne besojmë në udhëheqjen amerikane. Dhe vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Shtetet e Bashkuara, tani duke mbrojtur edhe vende të tjera që kanë nevojë për ndihmën tonë.
Pra, le të shohim ku është Kosova dhe pse është kaq jetike, sepse për një kohë Ballkani ishte historia kryesore dhe konflikti kryesor në Evropë. Dhe pothuajse shpërtheu një konflikt përsëri në qershor me Serbinë, apo jo?
Siç e dini, kemi një fqinj që pëlqen të krijojë probleme herë pas here. Serbia në të kaluarën shkaktoi një numër konfliktesh në Ballkanin Perëndimor sepse udhëhiqej nga ‘kasapi i Ballkanit”, Milosheviçi…
I cili u gjykua në Hagë?
Po, faleminderit Zotit. Dhe pastaj ai ndërkohë vdiq. Por çështja është se ende ka njerëz në udhëheqjen e Serbisë që duan të kapen pas së kaluarës dhe të na kthejnë të gjithëve në të kaluarën, ndërsa ne duam të shohim nga e ardhmja. Presidenti Trump na ka ndihmuar shumë për të mbështetur paqen, për ta ruajtur atë dhe për të shpëtuar jetë.
Dhe ju mendoni se ai e bëri këtë në qershor duke ndërhyrë, apo jo?
Kemi pasur një numër tensione të papritura gjatë dy viteve të fundit. Për shembull, në shtator 2023 pati një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës. Ne arritëm ta ndalonim atë me mbështetjen e aleatëve tanë të NATO-s.
Megjithatë, ekziston një kërcënim i vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Këtë maj pati qartë një tjetër përpjekje për tensione. Dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për t’i parandaluar ato nga përshkallëzimi… Parandalimi dhe dekurajimi kanë qenë kyçe në rajonin tonë.
Duke e ditur që rusët jo vetëm që kanë pushtuar Ukrainën dhe kanë filluar një luftë që nuk munden apo refuzojnë ta përfundojnë, por gjithashtu kanë shkelur kufijtë e Polonisë dhe Rumanisë. Dhe ndoshta një incident ndodhi edhe në Danimarkë, pikërisht kur dolëm në skenë sot. Çfarë dëshironi të dëgjoni nga presidenti duke pasur këtë parasysh?
Presidenti gjithmonë ka qenë një lider që flet me qartësi, forcë dhe bindje. Prandaj, kur të dalë sot në skenën e OKB-së, presim një mesazh të fortë paqeje përmes forcës. Ky mesazh ka dhënë rezultat në pjesën tonë të Evropës, sepse është i vetmi mesazh që autokratët dhe liderët e çmendur nëpër botë që duan të vrasin dhe të shkaktojnë vuajtje e kuptojnë.
Presidenti Trump, siç e thashë, ka qenë shumë i suksesshëm në parandalimin e përshkallëzimeve dhe në parandalimin e luftërave të tjera. Thjesht imagjinoni: ne jemi një vend ku çdo brez para fëmijëve tanë ka kaluar nëpër luftë. Gjyshërit tanë kanë kaluar nëpër luftë. Prindërit tanë, edhe ne vetë kemi kaluar nëpër një luftë gjenocidale. Dhe fëmijët tanë sot mund të shkojnë në shtrat pa tingullin e armëve dhe pa frikën me të cilën u rritëm ne si fëmijë lufte – falë udhëheqjes amerikane.
Dhe kjo është e gjitha. Shtetet e Bashkuara ju mbështesin. Faleminderit Presidente Osmani.
Faleminderit pwr kwtw. Dhe, natyrisht, për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë, ne llogarisim që kjo formulë e paqes përmes forcës të vazhdojë.
Absolutisht. Ju gjithashtu qëndroni të fortë, në një rajon shumë të vështirë.
Faleminderit. Dhe ju mund të mbështeteni tek ne si një aleat dhe partner.
Absolutisht. Dhe e di që presidenti e kupton këtë. Faleminderit përsëri.
Kënaqësi.









