Në bredhjet e shumta me makinë gjatë fushatës, Vjosa Osmani, në një seksion të videove të saj me bashkë me Lumir Abdixhikun tregoi edhe për një segment interesant gjatë tubimeve.
“Ndoshta ka qenë ajo pyetja që na u ba të dyve në Istog prej një djali të ri, i cili tha: “Çka është një e vërtetë e hidhur që nuk doni me na e thanë?”, Vjosa Osmani.
Përgjigjen e sinqertë ai i riu në Istog e mori mbrëmë nga Vjosa Osmani.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për Presidente të 7-të të Republikës së Kosovës”, Vjosa Osmani.
Pra, e vërteta e hidhur që s’po i thuhej nuk ishte as gjendja e rënduar ekonomike, shëndetësia e sëmurë, kërcënimi i demokracisë apo rreziku i prishjes së aleancave me perëndimin.
Por nuk ishte as fati i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përballë një rezultati sërish katastrofal të kësaj partie, zonja Osmani brengën e vetme e pati fatin e saj personal.
Osmani e dëshmoi se ky projekti i bashkimit me LDK-në ishte veç një rrotullim për ta gjetur disi rrugën që e çon sërish drejt realizimit të dëshirës së saj të shfrenuar për pushtet personal.
Të dielën, ish presidentja e shkelmoi dhe e gjuajti në lloç çdo sakrificë opozitare, çdo kritikë që buron nga kudo për pushtetin e Kurtit, që edhe sipas vetë asaj së fundi, përbën rrezik për shtetin.
“Të kaluarës i takon politika që kërkon nënshtrim e jo mendim të lirë”, Vjosa Osmani.
Osmani përfundimisht e dëshmoi se LDK-në e pati vetëm një trampolinë që e përdor varësisht kur ka nevojë ta bëjë kërcimin e radhës në pushtet e luks.
E shante dikur për t’u ngjitur në kreun e saj, e braktisi dhe e sulmoi për ta realizuar ambicien e verbër për pushtet përkrah Albin Kurtit.
E përdori për vota në zgjedhjen e parë si presidente, e goditi atë, opozitën tjetër dhe çdo zë kritik, për ta dëshmuar servilitetin ndaj Kurtit.
Dhe e përdori tash, kur i ndryshuan pak matematikat.
Në vend se të reflektojë për peshën e saj të përgjegjësisë për rezultatin e LDK-së, që nuk është as afër atij të shkurtit të 2025-ës, apo të tregojë respekt e mirënjohje përballë aktivistëve e zyrtarëve në parti që e mirëpritën, përkundër goditjeve që ua bëri, zonja Osmani tregoi se brenga e vetme e saj është akomodimi personal në majat e pushtetit, përsëri nen kthetrat e Kurtit.
Në çfarëdo forme, me çfarëdo çmimi, mbi fatin e përpjekjen opozitare të kujtdo tjetër.
Dhe për fatin e keq të LDK-së, këtij skenari të Osmanit i shërbeu me përpikëri kryetari, Lumir Abdixhiku, që u bë edhe shofer e moderator në këtë fushatë.
“Vozitësi i jonë”, Vjosa Osmani.
Të dielën ai edhe e duartrokiti dëshirën e vetme të Osmanit, duke tentuar të kamuflojë me përqindje të pakuptueshme për gjoja rritjen e partisë në vota, përkundër se votat i ka ato të dhjetorit, të cilat edhe vetë, me të drejtë, i pati trajtuar si një katastrofë për partinë që çdo ditë po ia zë frymën.
“LDK-ja e ka kandidaten e vet, Vjosa Osmanin, dhe kjo do të jetë pikënisja e diskutimeve të ardhshme”, Lumir Abdixhiku.
Sepse në fund të fundit, edhe ai, i ulur në kolltukun e të parit, përballë krizave e pakënaqësive të mëdha të brendshme për rezultatet e dobëta të partisë, po kërkon ta shpëtojë vetën duke luajtur vallen e njëjtë me zonjën Osmani.








