Seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve për rastin e 400 kilogramëve drogë (lloji: kokainë) të gjetur në Lipjan, është shtyrë për 20 minuta për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arni, theksoi se vonesat për nisjen e seancës fillimisht u shkaktuan nga sjellja e të pandehurve dhe më pas nga problemet me energjinë elektrike.
“Jemi me 30 minuta vonesë, për shkak të sjelljes së të pandehurve nga stacioni policor jugu. Vonesë që është jashtë objektivave tona. Ndërsa tash po e shihni se kemi probleme me energjinë elektrike. Megjithatë, jemi në pritje të informacioneve nga institucionet përkatëse. Po e bëjmë një pauzë rreth 20 minuta, në orën 10:25 kthehemi dhe, varësisht nga mundësitë objektive që kemi, vazhdojmë”, deklaroi Arni.
Në rastin e 400 kilogramëve drogë janë të akuzuar: Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi.
Ata akuzohen nga organi akuzës së përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por në këto produkte ishin vendosur substanca narkotike.
Në seancën e së enjtes, pritet që të dëshmojë edhe pronari i kompaniës “MC FOOD”, Izet Shaqiri.
Të gjithë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë. Shaqiri ka thënë se ndihet fajtor vetëm për veprën penale “armëmbajte pa leje”.
Në aktakuzën e Prokurirsë Speciale, thuhet se të akuzuarit në bashkëpunim me persona nga Brazili, përmes kompanisë “MC FOOD”, kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, në brendi të të cilave ishte vendosur substancë narkotike të llojit kokainë.
Sasia prej 400 kilogramëve kokainë ishte gjetur më 17 maj të vitit 2021 në Lipjan.









