Pasi KFOR-i konfirmoi se janë pjekur kushtet për hapjen e urës mbi Ibër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur reagimet kundër këtij zhvillimi.

Vuçiq ka deklaruar se do t’i shkruajë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar që ura të mos hapet për qarkullim.

“Do t’i shkruaj sot Mark Rutte-s. Shpresoj se do t’i përgjigjet letrës sime dhe do ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet”, ka deklaruar Vuçiq.

Presidenti serb ka pretenduar se hapja e urës po bëhet pa pëlqimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, ndërsa ka sulmuar edhe bashkësinë ndërkombëtare dhe komandantin e KFOR-it.

“Kjo për mua është një turp dhe zhgënjim i madh”, ka thënë ai.

Vuçiq ka pretenduar se vendet perëndimore po përpiqen t’ia imponojnë Serbisë pranimin e Kosovës së pavarur.

Ai ka shtuar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka pasur një bisedë, siç e ka cilësuar ai, shumë të keqe me komandantin e KFOR-it.

“Kjo ka ndodhur për herë të parë. Do të shohim se si do të zhvillohet situata”, ka përfunduar Vuçiq.