Derisa ende nuk ka dhënë kurrfarë përgjegjësie për rezultatin katastrofal të Lidhjes Demokratike në zgjedhjet e fundit, e cila ka shënuar ulje historike duke rënë në 13.2 për qind e duke arritur vetëm 126 mijë vota – rreth 50 mijë më pak se veç para disa muajve në zgjedhjet e shkurtit – Lumir Abdixhiku ka filluar të sulmojë të gjithë ata që po e kritikojnë për rezultatin.
Në një stil alla-Vetëvendosje, ai ka akuzuar kritikuesit se janë të paguar, por pa dhënë emra as për kë po flet, as kush po paguhet e as kush po paguan.
“I keni partitë tuaja. Mbajeni duhmën e pazareve mes tyre. Ka kush merret me LDK-në. Veç ju dhe partitë tuaja, kurrë jo. Kjo shtëpi e ka anëtarësinë që e do pa kushte; që e mbron nëpër ditë të vështira, nëpër sulme, nëpër zhgënjime”, shkroi Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.
Derisa natën e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, i thyer doli në konferencë për media, duke pranuar se kanë dështuar rëndë në zgjedhje dhe se mbase i ka ardhur koha të kalojë më shumë kohë me familje, Abdixhiku tash e ka ndërruar krejtësisht kursin, duke thënë se LDK-ja po sulmohet pikërisht se “është e fortë nga brenda”.
Ai mori shkas të reagojë pas një deklarate të zëdhënësit të partisë, Besian Mustafa, i cili tha se ishte gabim që Lidhja Demokratike e Kosovës kishte votuar për president Hashim Thaçin, meqë kjo i kushtoi më pas partisë.
Mustafa nuk tha se ishte keq për Kosovën votimi i Thaçit, por u ankua se elektoralisht u dëmtuan si parti.
Abdixhiku, i shthurur krejtësisht, pa një cak konkret dhe pa adresë në akuzat e tij, duke shkruar në emër të LDK-së tha se ata do të përgjigjen “Qetë. Drejt. Dhe përpara”.
“Trazimet le të vazhdojnë. Hapur, madje. Le t’i ballafaqojmë mercenarët dhe paratë që i aktivizojnë kundër njerëzve më të mirë të Lidhjes”, përfundon statusi i Abdixhikut.
Lumir Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së kur partia kishte rënie të madhe në vota, pas zgjedhjeve të vitit 2021, por ai premtoi se do ta kthejë LDK-në aty ku e meriton partia e parë demokratike e Kosovës.
Rikthim ky që nuk ndodhi. Madje LDK u rikthye te rezultati më i dobët ndonjëherë elektoralisht, atje ku ishte në vitin 2021.