Të zhveshur nga pushteti, Glauk Konjufca dhe Fitore Pacolli, të Vetëvendojes e kritikonin ashpër mënyrën se si, sipas tyre, shërbimi i jashtëm i Kosovës ishte shndërruar në strehë për militantë partiakë, familjarë dhe miq të udhëheqësve institucionalë.

Në vitin 2020, tash ministrja e Mjedisti, Fitore Pacolli shkruante ne facebook se Shërbimi i Jashtëm i Kosovës ishte shndërruar në një sektor për “rehatimin e militantëve partiakë, kushërinjve e miqve të udhëheqësve të institucioneve të shtetit”.

Ajo pretendonte se për ata që nuk kishin lidhje familjare apo miqësore me krerët e shtetit, mundësia për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik ishte dëshmimi i lojalitetit politik.

Pacolli e kishte cilësuar shkarkimin e konsujve të emëruar, sipas saj, në kundërshtim me ligjet dhe vendimet në fuqi, si hap drejt një shërbimi të jashtëm profesional.

Edhe Glauk Konjufca, tash shef i diplomacisë në atë kohë kishte përdorur gjuhë të ashpër ndaj emërimeve në diplomaci.

“ Kosova ka vuajtur 20 vite nga bandat e zhvatjes së institucioneve shtetërore, të cilët edhe misionet tona diplomatike dhe shërbimin tonë të jashtëm e kanë kthyer në shitblerje kriminale të pozitave publike”, kishte shkruar Konjufca.

Por, gjashtë vjet më vonë, kritikat e dikurshme po janë kthyer nga pushteti i tyre.

Ditëve të fundit janë raportuar më shumë se dhjetë raste të emërimeve në shërbimin e jashtëm, ku personat e emëruar janë identifikuar si familjarë, aktivistë apo të afërt me figura të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kur është pyetur për emërimet, Konjufca në mënyrë krejt qesharake, është përgjigjur se roli i tij është vetëm nënshkrimi i vendimeve dhe se nuk merret me emra të veçantë.