Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Blerim Sallahun shef të kabinetit të tij, pozitë të cilën për rreth pesë vjet e kishte mbajtur Luan Dalipi.
Emërimi i Sallahut nuk është bërë i ditur përmes ndonjë njoftimi zyrtar, por pozita e tij figuron në dokumentet e Zyrës së Kryeministrit.
Sallahu më herët ka mbajtur disa pozita në institucionet e Kosovës. Ai ka shërbyer si zëvendësministër i Drejtësisë, ndërsa për një periudhë ka qenë edhe ushtrues detyre i ministrit të Drejtësisë.
Gjatë Qeverisë Kurti I, ai kishte qenë shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe për shumë vite kishte shërbyer si këshilltar ligjor në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në mars të këtij viti, Sallahu ishte emëruar këshilltar ligjor i kryeministrit Kurti.
Ai njihet edhe për deklaratën e tij për “vajin në tepsi”, të cilën e kishte bërë gjatë një paraqitjeje televizive, kur po fliste për punën e Ministrisë së Drejtësisë.
“Po ju them këtu me përgjegjësi që niveli i shpejtësisë së punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe cilësisë, gjithashtu, mund të krahasohet me nivelin e shpejtësisë të shpërndarjes së vajit në tepsi”, kishte deklaruar Sallahu.
Luan Dalipi, i cili e kishte mbajtur pozitën e shefit të kabinetit të Kurtit për rreth pesë vjet, në shkurt të vitit 2026 kishte njoftuar për përfundimin e angazhimit të tij.









