Procesverbali i seancës disiplinore të mbajtur më 4 shtator 2026 nga Komisioni Disiplinor i Trainkosit kundër punëtorit Asdren Ademi, të cilin e ka siguruar VOX Kosova, zbulon një gjë të qartë që në leximin e parë: asnjë nga pyetjet e komisionit nuk synonte të vërtetonte nëse ajo që Ademi kishte thënë për riparimin e vagonëve në Serbi ishte e vërtetë apo jo. Në vend të kësaj, gjuha e përdorur nga vetë komisioni  “nxitje propagande”, “devijim i së vërtetës”, “inxhiniering medial”, “dëmtim imazhi” tregon se qëllimi i seancës ishte të gjykonte motivin e Ademit, jo faktin që ai kishte publikuar. Punëtorit iu kërkua të justifikohej pse e kishte thënë të vërtetën, jo nëse e vërteta ishte e saktë.

Kjo linjë hetimi — e dokumentuar fjalë për fjalë në procesverbalin katërfaqësh, të nënshkruar nga vetë Ademi dhe nga tre anëtarët e komisionit — vihet re qartë te disa prej pyetjeve kyçe të seancës.

Pyetja e parë që i bëhet Ademit është: “A keni qenë në dijeni se, në bazë të pozitës suaj të punës dhe lidhjes tuaj me kompaninë, publikimi i këtij komenti mund të perceptohej si cenim ose dëmtim i imazhit të kompanisë?”.

Që në pyetjen e parë, komisioni nuk kërkon të dijë nëse informacioni ishte i saktë, por nëse Ademi e kishte kuptuar se komenti i tij mund t’i dëmtonte imazhin e Trainkosit.

Ademi i thotë se “ai ka qenë koment te faqja e Ministrisë së Ekonomisë, nuk është përmendur as Trainkos, as askush, dhe nuk ja kam cenuar të drejtën askujt”.

Më tej, komisioni kalon nga pyetja e njohjes te pyetja e motivit.

Komisioni e pyet se “a keni pasur ndonjë qëllim për të dëmtuar reputacionin, autoritetin apo imazhin e Trainkos SHA […] meqë ju keni pretenduar se ndaj jush është duke u zhvilluar një procedurë për motive politike. Me çfarë faktesh, rrethanash apo provash konkrete e bazoni këtë pretendim?”.

Ademi ktheu përgjigjen te vetë procedura ndaj tij. “Politikisht është ndjekje. Kam dëshmi, imazhin e kompanisë më së paku kam qef ta dëmtoj se që 15 vjet punoj, fajet i kanë personat udhëheqës Florim Gjyrevci dhe Kryeshefi Ekzekutiv”, përgjigjet ai ndër të tjera.

Pastaj vjen pyetja që gjykon më së shumti motivet.

“A i konsideroni që veprimet e juaja […] respektivisht deklarimet, kanë bërë dëme ndaj imazhit të ndërmarrjes, nxitur propagandë të mundshme apo devijuar të vërtetën, qoftë edhe të iniciuar për një temë tjetër nga ana e juaj, por në një inxhiniering medial t’i kenë dhënë kahje aq sa ta kenë shtrembëruar synimin e paraqitjes suaj, si dhe a keni thënë të pavërteta të cilat, për një qëllim apo qëllim tjetër, mund të jenë në funksion të atyre që listuam më parë?”, e pyet komisioni Ademin.

Kjo pyetje e vetme përmban katër terma që gjykojnë motivet “dëm imazhi”, “nxitje propagande”, “devijim i së vërtetës”, “inxhiniering medial” por asnjë prej tyre nuk shoqërohet me pyetjen paraprake logjike: a ishte i vërtetë komenti i tij?

Ademi i thotë se “nuk është me rëndësi çka thonë portalet, e rëndësishme çka them unë është unë kam thënë një të vërtetë dhe qëndroj prapa saj 100 vjet, edhe nuk kam shpifur dhe skam ofenduar askënd”.

Në asnjë prej pyetjeve të mësipërme — e as në asnjë tjetër të procesverbalit — komisioni nuk e pyet Ademin nëse ajo që kishte thënë për vagonët ishte e vërtetë. Gjuha e përdorur nga vetë komisioni tregon qartë se objekti i hetimit ishte motivi, jo fakti: a kishte “qëllim” të keq, a kishte bërë “propagandë”, a kishte “devijuar” të vërtetën, a i kishte dhënë komentit të tij “kahje” për ta shndërruar në “inxhiniering medial”.

Dhe kjo u bë pasi që u kuptua publikisht se vagonët janë dërguar për riparim në Serbi.

E pranoi edhe vetë Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në korrik të këtij viti, Asdren Ademi, në një postim në faqen e Ministrisë së Ekonomisë në Facebook, kur kjo po informonte për vënien në funksion të disa vagonëve të restauruar, komentoi duke thënë se “është mirë me i tregu popullit se me pare të popullit janë renovuar në Serbi”.

Menjëherë kishte reaguar kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Agron Statovci.

Në një email të siguruar nga VOX Kosova, Statovci u kishte kërkuar vartësve të tij që ta marrin punëtorin Ademi në pyetje për komentin.

Kryeshefi urdhëronte që deri në kryerjen e procedurave, Ademit t’i ndalohet marrja e pushimit ditor apo vjetor.

Por, Ademi kishte të drejtë.

Sipas një dokumenti të kompanisë, thuhet se ndërmarrja ishte në vizitë në Serbi dhe vagonët i renovoi atje.

“Më datën 06.10.2024 kemi bërë udhëtim për Serbi në punëtori remontuese Shin Voz d.o.o., në qytetin e Zrenjaninit të Serbisë. Komisioni, sipas vendimit nr. 472 të datës 21.09.2024, ka filluar punën në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o. në Zrenjanin më datë 07.11.2024, duke filluar me testimin, sipas Udhëzimit 266, në vagonët në të cilët është kryer Riparimi i Mesëm (R.M.). Është konstatuar se vagonët e poshtëshënuar janë të dy (2) serive”, thuhej në një raport që e kishte siguruar VOX Kosova.

Kompania e cila fitoi tenderin prej 423 mijë eurosh për vagonët që i dërgoi në Serbi – me dijeni të Trainkos – është Profitech.

Dërgimi i vagonëve për riparim në Serbi ndodhi disa muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit (24 shtator 2023), ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Grupit prej dhjetëra paramilitarësh serbë i kishte prirë kryekrimineli Milan Radojiçiç.