Memli Krasniqi dha sot dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Si drejtues i forcës politike opozitare më të madhe në vend, Krasniqi ka qenë për plot 4 vite e 4 muaj.

Ai ishte zgjedhur në një situatë jo të mirë për PDK-në, pasi që para disa muajsh, më 5 nëntor 2020, Kryetari i saj, Kadri Veseli, dhe ish-Kryetari, Hashim Thaçi, ishin arrestuar nga Gjykata Speciale, si të dyshuar për krime të pretenduara lufte.

Kësisoj, ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së ishte caktuar Enver Hoxhaj, i cili, përmes kësaj pozite, kishte garuar edhe si kandidat i PDK-së për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në këto zgjedhje, PDK-ja kishte marrë një nga rezultatet më të dobëta në histori, me vetëm 17.009 për qind të votave apo 148 mijë e 285 vota, duke siguruar kështu 19 ulëse në Kuvend.

Disa muaj pas këtij rezultati dhe performancës jo të mirë të Hoxhajt, PDK-ja kishte mbajtur Konventën Zgjedhore të partisë.

Memli Krasniqi ishte personi që kishte marrë mbështetjen e pothuajse të gjitha degëve dhe kryesisë së PDK-së. Kështu, në Konventën zgjedhore të 3 korrikut 2021, Krasniqi ishte zgjedhur Kryetar i partisë. Në votim kishin marrë pjesë  476 delegatë. Vetëm 7 vota kishin qenë kundër tij. Nuk kishte pasur kundërkandidat.

Testi i parë për Krasniqin në krye të PDK-së ishin zgjedhjet lokale, të cilat ishin mbajtur në tetor të 2021-së, disa muaj pasi që kishte marrë drejtimin e partisë.

PDK-ja, nën drejtimin e Krasniqit, në zgjedhjet lokale të 2021-së, kishte arritur një rezultat të mirë, duke u renditur partia e parë – së bashku me LDK-në – sa i përket numrit të komunave të fituara: 8 sosh.

Kishte fituar në Mitrovicë, Ferizaj, Prizren, Drenas, Skenderaj, Hani i Elezit, Kaçanik dhe Vushtrri.

Pas zgjedhjeve lokale, PDK-ja nën drejtimin e Krasniqit, ishte fokusuar në të bërit opozitë ndaj mazhorancës së Vetëvendosjes, e cila kishte shënuar një fitore plebishitare në zgjedhjet e 9 shkurtit 2021, me mbi 50 për qind të votave.

Opozitarizmi i PDK-së ishte fokusuar kryesisht në rrugë institucionale. Kjo parti ka dërguar një numër të konsiderueshëm të çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, e cila i ka konfirmuar shumicën prej tyre, duke e bërë kështu Qeverinë e VV-së si rekordmene të shkeljeve kushtetuese.

Megjithatë, ka pasur çarqe të caktuar në shoqërinë civile e gazetarë, të cilët kanë kërkuar veprime më konkrete nga PDK-ja në kundërshtimin e Qeverisë së Albin Kurtit.

Gjatë kësaj kohe, Krasniqi me sukses kishte menaxhuar rrymat e brendshme në një parti ku shpesh ka ditur të prodhojë personalitete që nuk i kanë përfillur vendimet e partisë e kanë dalë kundër kryetarit.

Testi i dytë për Krasniqin ishin zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Ai bëri një kompromis, i vlerësuar gjerësisht, ku në vend të tij, nominoi Bedri Hamzën si kandidat të PDK-së për Kryeministër, në përpjekje për të maksimalizuar votën e PDK-së.

PDK-ja në zgjedhjet e 9 shkurtit pati rritje. Mori 20.95 për qind të votave, apo 196 mijë e 474 vota. Nga 20 deputetë që kishte, u rrit në 24.

Këto nuk ishin zgjedhjet e vetme që Krasniqi e udhëhoqi PDK-në. Ai e drejtoi partinë edhe në zgjedhjet lokale të 2025-së (12 tetor raundi i parë, 9 nëntor raundi i dytë).

Për dallim nga proceset e kaluara zgjedhore kur PDK-ja ishte e unifikuar, në këto zgjedhje pati disa përçarje të brendshme. Dhe kjo në një nga bastionet e padiskutueshme të PDK-së – në Drenas.

Kryesia e PDK-së nuk e pranoi kandidaturën e Ramiz Lladrovicit për Kryetar të Drenasit – i cili kërkonte mandatin e tretë – por miratoi atë të Petrit Hajdarit.

Kjo i kushtoi PDK-së, pasi që për herë të parë kjo parti humbi në Drenas. Lladrovci, i cili garoi në zgjedhje me iniciativë qytetare, arriti që të fitonte kundër Hajdarit që në raund të parë, me mbi 52 për qind të votave.

Në këto zgjedhje, PDK-ja arriti që të fitojë në 6 komuna: Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Hani i Elezit, Kaçanik dhe Vushtrri.

Nga komunat që i kishte fituar në 2021, përveç Drenasit, humbi edhe në Mitrovicë, por këtu procesi po kontestohet, pasi që janë hasur fletëvotime me numra serik që nuk i përkasin klasave dhe shkollave ku ato ishin të vendosura. Për këtë, PDK-ja po konsideron se është cenuar procesi i zgjedhjeve dhe po kërkojnë rivotim.

Tri ditë pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Krasniqi dha dorëheqje nga drejtimi i partisë, ndonëse nuk ishte paralajmëruar më herët.

Në një konferencë për media të mërkurën, Krasniqi tha se ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit.

“Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën”, tha ai.

Ai e cilësoi këtë vendim si “një hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në”.

Në këtë konferencë, Krasniqi paralajmëroi edhe atë që mund të jetë pasardhës i tij. Ai pritet që të jetë Bedri Hamza.

“Jam i bindur se kandidati i PDK-së për kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza. Dhe normalisht nëse Hamza kandidon për të qenë kryetar i PDK-së e ka përkrahjen time të plotë”, deklaroi Krasniqi.

Memli Krasniqi mbylli rrugëtimin e tij si Kryetar i PDK-së. Ai udhëhoqi partinë dhe arriti që ta ruajë unitetin e brendshëm në kohën më të vështirë që kjo parti ka pasur ndonjëherë.