Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e kanë uruar Dimal Basha, për zgjedhjen e tij si Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, ka shkruar Begaj në Facebook.
Spiropali ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve.
“Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, shkroi ajo në Facebook.









