Skema e emërimeve në Ibër Lepenc, sipas ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, është një tjetër dëshmi se kjo Qeveri, ky Kryeministër, “kontrollon institucionet dhe politikat e shtetit përmes strukturave paralele, që nuk kanë kurrfarë pozite politike shtetërore”.

Këto komente, Shala i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që VOX Kosova publikoi aferën e punësimit ilegal të Faruk Mujkës si Kryeshef i Ndërmarrjes Hidroekonomike Ibër-Lepenci, me ndikimin e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Dejona Mihalit.

“Kjo është dëshmuar me Rezervat Shtetërore, ku një person privat drejton krejt procesin; blerjen, kompanitë, çmimet, ruajtjen dhe gjithçka tjetër”, shkroi ai.

“Kështu edhe në energji, kur nga zyrat e komiteteve partiake diktohet se kur të kenë qytetarët rrymë e kur jo, e kush do ta shesë e blejë, dhe tash u zbulua se edhe krejt institucionet e tjera janë në duart e strukturave jashtë institucioneve”, shtoi.