Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se për Vetëvendosjen shteti është “pronë private”, ndërsa zyrat e shtetit “janë nëndegë e partisë”.
Këto komente, Mustafa i ka bërë në një konferencë për media të enjten, pasi që VOX Kosova publikoi aferën e punësimit ilegal të Faruk Mujkës si Kryeshef i Ndërmarrjes Hidroekonomike Ibër-Lepenci, me ndikimin e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Dejona Mihalit.
“Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur, terr e terr fatkeqësisht. Në media kemi parë zbulimin e skandalit të radhës të Vetëvendosjes. Aty u shpalos manuali i Vetëvendosjes se si i mbyt shpresën një të riu që mëson fort e pastaj dëshpërohet fort sepse mbetet i papunë e i pashpresë veç pse nuk e ka Whatsappin e Dejonës”, tha Mustafa.
Ai rikujtoi se VV-ja erdhi në pushtet me premtimin se do të punojnë me duar të pastra, por “shumë shpejt u kuptua e u shpalos se janë të zhytur kokë e këmbë deri në fyt me pazare për punësime”.
Kjo, konsideron ai, “nuk është qeveri, kjo është thjeshtë qeveri e Whatsappit”.
“Mesazhi i VV-së për një të ri apo një të re është i qartë, është i ftohtë, është brutal. Nëse je militant i Dejonës, e ke derën hapur. Nëse je student i dalluar apo profesionist i ndershëm, e ke derën të mbyllur. Për VV-në, shteti është pronë private, ndërsa zyrat e shtetit janë degë e nëndegë e partisë”.
“Është e tmerrshme”, konsideron ai që në kohën e një krize energjetike, ministrja, “në vend që të hartojë një strategji se si të nxjerrë vendin nga kjo krizë, ajo merret me hartimin e listave të rehatimit të militantëve”.









