Doarsa Kica Xhelili, ish-deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se komunikimet mes Faruk Mujkës, Artane Rizvanollit dhe Dejona Mihalit të cilat i publikoi VOX Kosova, tregojnë se si “nëntoka e Vetëvendosjes, insistoi me çdo kusht që një ish-anëtar i partisë së gruas së kriminelit serb, Sllobodan Millosheviç” të vije në krye të një Ndërmarrje Publike.

“Hiç më larg se sot u publikuan disa komunikime të zotit Mujka i cili duhet të theksohet që ka qenë anëtar zyrtar i JUL-it, parti politike e bashkëshortes së Sllobodan Millosheviçit. Ky njeri ka qenë në Lëvizjen Vetëvendosje. Nga akterët kyç të Lëvizjes Vetëvendosje dhe këtë e dëshmon fakti me sa ngulm nëntoka e Lëvizjes Vetëvendosje që është Dejona Mihali bashkë me Albulena Haxhiun dhe Artane Rizvanollin që ishin pjesë të atij komunikimi, insistuan me çdo kusht që ai të bëhet kryeshef i Ibër – Lepencit”, tha Kica – Xhelili, në “Dpt te Fidani”.

VOX Kosova ekskluzivisht ka siguruar nga dosja e Prokurorisë komunikimet e Faruk Mujkës me Artane Rizvanollin, Albulena Haxhiun, Dejona Mihailin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës. Komunikime këto të realizuara nga dy telefonë të Mujkës, që iu konfiskuan në momentin e arrestimit të tij më 14 korrik 2023, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kur Mujkës iu ekzaminuan telefonat nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike, Sektori për Fotografi, Video-analizë dhe Ekzaminime të IT-së, u gjet se Mujka kishte komunikime të rregullta me ministra të Vetëvendosjes e me Dejona Mihalin.

Komunikimet janë realizuar kryesisht në platformën WhatsApp. Nga mesazhet, zbulohet skema e emërimeve krejtësisht politike dhe në mënyrë të kundërligjshme jo vetëm e Mujkës në Ibër Lepenc, por edhe e militantëve të tjerë nëpër institucione.

Kjo është hera e parë që dëshmohet me fakte nga prokuroria se si ministrat ushtrojnë ndikimin e tyre për kryerjen e favoreve duke abuzuar me pushtetin. I informuar, siç tregojnë mesazhet, ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Në komunikimet e Faruk Mujkës me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Dejona Mihailin e Vetëvendosjes, kuptohet qartësisht, se qysh nga fillimi konkursi për kryeshef të Ibër Lepencit ishte veç një formalitet.

Personi tashmë ishte caktuar dhe do të përzgjedhej politikisht, ilegalisht, nëpërmjet abuzimit të skajshëm me pushtetin.