Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në letrën që Presidenca e ka bërë publike, Trump ka thënë se SHBA-të “mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju përcjell urimet e mia juve dhe popullit të Kosovës me rastin e festimit të pavarësisë më 17 shkurt”, thuhet në letër.

Aty theksohet se ndërsa “marrëdhëniet mes vendeve tona vazhdojnë të thellohen, ne presim me padurim ta zgjerojmë partneritetin tonë, përfshirë përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve që nxisin prosperitetin e përbashkët”.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për të avancuar paqen dhe stabilitetin në dobi të ndërsjellë”.

Trump e ka falënderuar Osmanin dhe kosovarët “për mbështetjen e vazhdueshme ndaj përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e sfidave globale në Ukrainë, Gaza dhe gjetkë”.

“Po ashtu, e mirëpres Kosovën si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.

Ky përvjetor, theksohet se “është një mundësi për të reflektuar mbi përparimin e Kosovës, duke parë përpara drejt një bashkëpunimi dhe partneriteti edhe më të fuqishëm”.