Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se e ka uruar Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Përmes një postimi në platformën X, Rama ka uruar që fitorja e Kurtit të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën.
“E kam uruar Kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona”, shkroi Rama.
Me 99.65 për qind të votave të numëruara, VV-ja ka fituar zgjedhjet parlamentare me 49.30 për qind. E dyta renditet PDK-ja me 21 për qind, e treta LDK-ja me 13.57 për qind dhe e katërta AAK-ja me 6.68 për qind.









