Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka konsideruar situatën e krijuar pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut në Kosovë, si “urgjencë kombëtare”. Ai ka kërkuar nga niveli qendror e lokal që të shumëfishojnë përpjekjet dhe veprimet për përballimin e kësaj gjendjeje.
“Situata e krijuar pas reshjeve të vazhdueshme, që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës, është tejet shqetësuese. Në disa vendbanime ka filluar edhe evakuimi i banorëve”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se ka kontaktuar kryetarët e komunave që vijnë nga partia që udhëheqë, për t’u informuar lidhur me veprimet “që po i ndërmerr pushteti lokal në përballimin e kësaj situate të rëndë”.
“Është urgjencë kombëtare që institucionet relevante, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, të shumëfishojnë përpjekjet dhe veprimet për përballimin e kësaj gjendjeje”, pohoi ai.









