Në Mitrovicë të Jugut, Prokuroria Themelore ka urdhëruar rifillimin e numërimit të votave, ende pa u bërë 24 orë që në Qendër të Numërimit ishte ndërprerë krejt procesi. Organi i akuzës atje, në një njoftim për media tha se ky vendim vjen pas sqarimit nga ana e Komisionit Zgjedhor dhe kompanisë kontraktuese, “Cetis”, se problemi tek votat e dyshuara ishte në printerët më ngjyrë që printuan fletëvotimet.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut. Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka spjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte”, theksoi Prokuroria.

Sipas së njëjtës, “janë caktuar dy hetues policorë që do  të jenë prezent gjatë gjithë kohës deri në procesin e plotë të numërimit”.