Ridvan Muharremi, miku i ngushtë i kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka përfunduar nën aktakuzë bashkë me ministren Rozeta Hajdari si dhe Irfan Lipovicën e Hafiz Garën në lidhje me skandalin e rezervave shtetërore, përmes së cilit iu shkaktua dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 900 mijë eurove.

Aktakuza që e ka siguruar VOX Kosova tregon, mes tjerash, se si ky afarist, pronari i lokalit “Bukë e Zemër”, që s’kishte kurrfarë pozite publike apo autoriteti zyrtar vendimmarrës, ishte personi kyç – ndërmjetësues për blerjen e rezervave shtetërore.

Sipas dëshmisë së të pandehurit Hafiz Gara, në një moment Ridvan Muharremi, me insistimin e tij dhe aprovimin e Rozeta Hajdarit, kishte obliguar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të paguante 295 mijë euro më shumë për transportin e grurit të blerë nga kompania turke “Yafe Turizm Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sikreti”, ndonëse në kontratën me këtë të fundit përfshihej në çmim edhe transporti.

Kur nga zyrtarë brenda Ministrisë ishte theksuar ky fakt e ishte refuzuar certifikimi i pagesës, kishte pasuar edhe sjellja agresive e ministres Hajdari.

“Po gjatë këtij takimi, siç deklaron i pandehuri, ministrja kishte përdorur fjalë ofenduese edhe ndaj të pandehurit Hafiz Gara, se gjoja ky nuk e paska zhvilluar procesin si duhet”, thuhet mes tjerash.

Pjesë nga dëshmia e Hafiz Garës, e përshkruar në aktakuzë:

“Me kompaninë “Rail Trans” ishte nënshkruar kontratë për transport të grurit në mes sekretarit, Irfan Lipovica dhe përfaqësuesit të kompanisë në fjalë, me çmim prej 360,000 euro.

Në vazhdim i pandehuri ka shtuar se kësaj kompanie i ishte bërë pagesa për transport të grurit, përveç për 52.5 ton, të cilët mungonin dhe kompania transportuese nuk kishte kryer shërbim për këtë pjesë dhe për këtë arsye zyrtari për certifikim, Enver Hajrullahu kishte refuzuar që ta nënshkruaj certifikimin për këtë shumë.

I pandehuri thekson gjithashtu se refuzimi i certifikuesit, Enver Hajrullahu që ta nënshkruaj faturën e fundit, duke përfshirë edhe transportin për sasinë e munguar të grurit prej 52.5 tonë, ishte e arsyeshme dhe me sa i kujtohet e ka mbështetur edhe vet i pandehuri. Lidhur me këtë refuzim të certifikuesit Enver, i pandehuri deklaron se ishte mbajtur një takim në zyrën e ministres Rozeta Hajdari, ku kishin marrë pjesë ministrja, Rozeta Hajdari, certifikuesi, Enver Hajruallahu, sekretari, Arber Gegaj, certifikuesja, Rabije Kosumi, auditori i brendshëm, Haki Maxhuni dhe vet i pandehuri Hafiz Gara.

Në këtë takim siç thekson i pandehuri, i është kërkuar nga ministrja Rozeta Hajdari, certifikuesit Enver Hajruallu, që ta çertifikoj pagesën për kompaninë “Rail Trans”. Lidhur me certifikuesin Enver, i pandehuri deklaron se ishte në pushim mjekësor në kohen kur e kishte thirre në takim ministrja Rozeta Hajdari. Siç deklaron i pandehuri, çertifikuesi Enver Hajrullahu edhe përkundër se i ishte kërkuar nga ministrja qe ta bëjë pagesën për “Rail Trans”, nuk e kishte bërë një gjë të tillë dhe me këtë rast i kishte thënë ministres se mund ta bëjë këtë pagesë, vetëm nëse e urdhëron sekretari Arbër Gegaj, i cili nuk kishte pranuar të jap një urdhër të tillë dhe për këtë siç thekson i pandehuri kishte lindur një konflikt verbal në mes ministres dhe sekretarit Arber Gegaj.

Po gjatë këtij takimi, siç deklaron i pandehuri, ministrja kishte përdorur fjalë ofenduese edhe ndaj të pandehurit Hafiz Gara, se gjoja ky nuk e paska zhvilluar procesin si duhet. I pandehuri, deklaron në vazhdim se pas të gjithave, pagesa për kompaninë “Rail Trans” ishte bërë dhe atë në shumë prej 293.000 Euro.

Në pyetjen se mbi cilën bazë ishte bërë kjo pagesë, fjala është për “Rail Trans” për transport të grurit, kur në kontratën bazë të lidhur në mes MINT dhe OE “Yafe Turizm Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sikreti” për blerjen e grurit, në nenin 2 pika 3 ishte paraparë Inkotermi DDP, që nënkupton se të gjitha shpenzimet, duke përfshirë çmimin kontraktues, shpenzimet e transportit, si dhe të gjitha taksat, i paguan furnizuesi, i pandehuri është përgjigjur duke pohuar se ishte e vërtetë se kontrata bazë kishte pasur të përcaktuar Inkotermin DDP, që nënkuptonte se të gjitha shpenzimet, duke përfshirë çmimin kontraktues, shpenzimet e transportit, si dhe të gjitha taksat i paguan furnizuesi, në këtë rast kompania turke, mirëpo një gjë të tillë siç thotë i pandehuri, e kishte kërkuar Ridvan Muharemit si ndërmjetësues për OE “Yafe Turizm Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sikreti”.

Me këtë rast i pandehuri ka deklaruar se, Ridvan Muharemi e kishte kontaktuar të pandehurin Hafiz Gara përmes telefonit dhe kishte kërkuar që të ndryshohet/plotësohet kontrata bazë dhe shpenzimet e transportit t’i merr përsipër MINT, dhe për këtë i pandehuri deklaron se lirisht mund të thuhet se Ridvan Muharemi në një mënyrë fillimin e sjelljes se grurit të paguar, e kishte kushtëzuar me pagesën shtesë të transportit. Lidhur me kërkesën e Ridvan Muharemit për ndryshim të kontratës bazë dhe rregullat e Inkotermit DDP për qëllim të pagesës shtesë për transport të grurit, vet i pandehuri kishte biseduar me sekretarin Irfan Lipovica si dhe me Zyrën Ligjore në MINT.

Lidhur me këtë kërkesë të Ridvan Muharemit, i pandehuri deklaron se vet të pandehurin Hafiz e kishte ftuar ministrja Rozeta Hajdari në kabinetin e saj dhe me këtë rast kishte kërkuar llogari nga i njëjti, duke e pyetur se përse ishte vendosur Inkotermi DDP në kontratën bazë, dhe me këtë rast i pandehuri e kishte njoftuar se ajo ishte forma standarde e kontratës që ishte bërë çdo herë në të kaluarën për të gjitha blerjet e rezervave shtetërore, mirëpo pavarësisht nga sqarimi, ministrja Rozeta Hajdari kishte kërkuar që të përpilohet një Aneks Kontratë për heqjen e rregullave të Inkotermit DDP nga kontrata bazë, gjë e cila edhe ishte bërë me datë 29.03.2022, ku ishte lidhur Aneks Kontrata, përmes të cilës ishte përcaktuar se kontratës bazë, konkretisht nenit 2 duhej t’i shtohej paragrafi 2.3 ku përcaktonte se shpenzimet e transportit mbuloheshin nga MINT, në shumë prej 295.000 euro. Këtë kontratë siç deklaron i pandehuri, e kishte nënshkrua ministrja Rozeta Hajdari në emër të MINT.

Lidhur me këtë, i pandehuri ka deklaruar se në kohën kur ishin diskutuar kushtet e kontratës bazë, nuk ishte diskutuar dhe kërkuar nga palët se duhet të përjashtohet Inkotermi DDP.

Në pyetjen se në kontratat e mëhershme për blerjen e rezervave shtetërore, a ishte paraparë çdoherë Inkotermi i DDP, i pandehuri ka pohuar se në çdo kontratë ishte paraparë kyy rregull. Në vazhdim i pandehuri ka deklaruar se ishte bërë pagesa e paraparë me Aneks Kontratë për transportin e grurit për kompaninë turke “Yafe Turizm Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sikreti”, pasi që ishte nënshkruar dhe protokolluar kontrata dhe pasi që ishte dërguar fatura nga kompania në fjalë. Lidhur me pagesën, i pandehuri ka deklaruar se edhe në këtë rast, sikurse për kontratat tjera, as kjo kontratë nuk i është dhënë certifikuesit për realizim të pagesës, me arsyetimin se lënda është e klasifikuar si sekret. I pandehuri gjithashtu ka deklaruar se i kujtohet se sa i përket çështjes se transportit, i ka dërguar një e-mail përfaqësuesit të kompanisë furnizuese, duke i kërkuar që ta bëj transportin siç ishte përcaktuar në kontratën bazë në nenin 2, paragrafi 3, mirëpo të njëjtit nuk i kishin kthyer përgjigje por për këtë çështje kishte vazhduar ndërmjetësimin dhe komunikimin Ridvan Muharemi”.