Gjykatësja paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DSK), Marjorie Masselot, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Specializuar për një kërkesë për ndihmë drejtuar Institutit të Jashtëm Forenzik (EFI), me qëllim krijimin e një kopjeje të imazhit forenzik dhe raportit përkatës “Cellebrite” të telefonit të sekuestruar nga Hajredin Kuçi në mars të vitit 2024.
Ky telefon ndodhet që nga sekuestrimi nën ruajtjen e EFI, ndërsa materiali i nxjerrë më herët është dorëzuar tashmë palëve në procedurë. Megjithatë, Prokuroria ka theksuar se nuk e posedon vetë pajisjen, ndaj është i domosdoshëm ky hap për t’i garantuar mbrojtjes së Kuçit qasje të plotë.
Prokuroria argumentoi se kjo procedurë është në përputhje me rregullin 102(3) të rregullores, i cili obligon që secilit të akuzuar t’i dorëzohet kopja forenzike e pajisjeve të sekuestruara prej tij. Avokatët e Kuçit i bashkohen plotësisht kësaj kërkese, duke e theksuar nevojën për ta marrë sa më shpejt këtë material për të përgatitur mbrojtjen.
DOKUMENT:

Gjykatësja Masselot urdhëroi EFI që të përgatisë kopjen dhe raportin brenda tre javësh nga data e marrjes së kërkesës dhe t’ia transmetojë ato mbrojtjes përmes Zyrës së Regjistrit. Gjykatësja gjithashtu urdhëroi që EFI t’i adresojë çdo paqartësi vetëm te Regjistri, i cili duhet ta njoftojë menjëherë gjykatën për çdo problem që mund të lindë gjatë procesit.
Vendimi parashikon edhe një raportim të detajuar: brenda 14 ditëve pas ekzekutimit, EFI duhet të informojë për mënyrën se si është krijuar materiali, çfarë masash mbrojtëse janë marrë gjatë transmetimit dhe nëse janë hasur ndonjë vështirësi teknike.
Në dispozitivin e saj, gjykatësja urdhëron gjithashtu mbrojtjen e Kuçit që deri më 19 shtator 2025 të dorëzojë një version të redaktuar publik të shkresës së saj përkatëse ose të kërkojë riklasifikimin e saj si publike.