SHBA – Demokratët morën kontrollin e Senatit të martën mbrëma, pasi votuesit i dhanë një goditje të fuqishme Presidentit Donald Trump dhe i siguruan partisë fitore në shtete që prej kohësh konsideroheshin bastione republikane, shkruan prestigjiozja The New York Times.
Demokratët arritën t’ua merrnin republikanëve ulëset në Senat në Iowa, Kansas, Ohio, Karolinë të Veriut, Karolinë të Jugut e madje edhe në Teksas.
Ata janë gjithashtu në një pozitë të favorshme për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Në një intervistë për The New York Times, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është “plotësisht i gatshëm t’i pranonte këto rezultate” dhe se është i përgatitur të bashkëpunojë me demokratët.
“Ne, e dini, mezi presim të punojmë me ta… Me gjasë do të arrijmë ndonjë marrëveshje”, tha ai.
Në një natë zgjedhore që u shndërrua në një disfatë dërrmuese për republikanët, fitoret më të mëdha të demokratëve erdhën nga Teksasi, një shtet ku partia nuk kishte fituar asnjë garë zgjedhore në nivel shtetëror që nga viti 1998.
James Talarico mposhti Ken Paxtonin, Prokurorin e Përgjithshëm republikan të Teksasit, të cilin Trump e kishte ndihmuar të siguronte nominimin e partisë gjatë pranverës.
Ndërkohë, Gina Hinojosa u bë demokratja e parë që zgjidhet guvernatore e Teksasit që nga Ann Richards në vitin 1990, pasi mposhti guvernatorin republikan Greg Abbott, i cili kishte shërbyer për tri mandate.
Këto rezultate në zgjedhjet e mesmandatit përbëjnë gjykimin e parë kombëtar të votuesve për mandatin e dytë të Presidentit Trump.
Rezultatet dëshmojnë atë që sondazhet kishin sinjalizuar prej muajsh: votuesit ishin thellësisht të pakënaqur me Trumpin dhe republikanët që kishin mbështetur agjendën e tij.









