Liderët evropianë e kanë mirëpritur bisedën që patën me presidentin amerikan, Donald Trump, para samitit të së premtes në Alaska – mes tij dhe homologut rus, Vladimir Putin.

Edhe kancelari gjerman, edhe presidenti francez kanë ritheksuar qëndrimin evropian se asnjë vendim s’mund të merret për Ukrainën pa Ukrainën, ndërsa kanë bërë thirrje për një samit trilateral mes tyre, SHBA-së dhe Rusisë.

Merz sinjalizoi se “ka shpresë se diçka po lëviz”, me pritshmëri gjithnjë në rritje për një marrëveshje paqeje.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u ka bërë thirrje partnerëve që të ushtrojnë më shumë presion mbi Rusinë, duke argumentuar se Putin ka thënë gjepura kur ka deklaruar se sanksionet nuk po e ndikojnë ekonominë ruse.

Liderët e BE-së dhe të NATO-s kanë dhënë qëndrime mbështetëse, duke theksuar se “topi është në anën e Putinit” dhe se Ukraina ka dalë më e fortë nga këto konsultime me SHBA-në.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Trump synon të sigurojë një armëpushim nga takimi me Putinin, dhe se ai i ka siguruar liderët evropianë se asnjë çështje lidhur me ndryshime territoriale nuk do të negociohet pa Ukrainën, duke shtuar se ky është një qëndrim që Evropa e mbështet.

Ndërkaq, kryekomisionerja evropiane, Ursula von der Leyen, ka dhënë një vlerësim shumë pozitiv për bisedën, duke thënë se ishte një diskutim “shumë i mirë” dhe se “sot, Evropa, NATO dhe SHBA-ja kanë forcuar pozicionin e përbashkët për Ukrainën.”

Në hapje të fjalimit të tij, kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se liderët evropianë janë të përkushtuar për të ndihmuar që samiti i së premtes mes Trumpit dhe Putinit në Alaska të jetë një sukses.

“Ne, evropianët, bëjmë çdo gjë të mundshme për të vendosur drejtimin e kësaj mbledhjeje në rrugën e duhur,” ka thënë Merz.
Ai shtoi se Zelensky ka qenë i përfshirë në përgatitjet që nga fillimi.