Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në seancën solemne me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë, deklaroi se shteti u ndërtua mbi sakrificën dhe qëndresën e atyre që u persekutuan, u luftuan, por nuk u nënshtruan kurrë.
Ajo rikujtoi se 18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet dhe nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. Sipas saj, shpallja e pavarësisë i dha fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, duke hapur një kapitull të ri në historinë kombëtare.
“18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, gjak, sakrificë dhe me durim shekullor”, deklaroi presidentja Osmani.
Duke folur për ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në Hagë, Osmani bëri thirrje për unifikim dhe bashkim, pavarësisht dallimeve të së kaluarës apo të tashmes.
“Asnjë dallim i së kaluarës apo së tashmes nuk na pengon që të jemi bashkë në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare”, theksoi ajo.
“Nuk do ta pranojmë asnjëherë ndonjë narrativë që barazon agresorin me viktimën dhe krimin me rezistencën për liri”, deklaroi Osmani.









