Valdrin Dervishaj, ish-këshilltar i ish-Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kur po i sheh deklarimet e pasurisë, po e kupton se pse nuk është marrë vesh me pushtetin e Vetëvendosjes, pasi që, sipas tij, “dikush e ka pasur mendjen te pasurimi”.
“Po i lexoj deklarimet e pasurisë për vitin 2025. Dhe, për herë të parë pas shumë kohësh, po e kuptoj qartë pse s’jemi marrë vesh kurrë”, shkroi Dervishaj në Facebook.
“Dikush e ka pasur mendjen te pasurimi, te vilat qerek milioni në lagjet më të shtrenjta të Prishtinës në fund të mandatit, ndërsa unë jam mundu me e pagu një kredi studimesh për vite me radhë, me rrogën si këshilltar”, shtoi ai.
Ai theksoi se kanë jetuar në dy botë të ndryshme.
“Prandaj, kur kam kërku që një person me aktakuzë të shkarkohej menjëherë, kërkesa ime është dukur e çuditshme. Veshët kanë qenë në lesh. Madje, për këtë jam sulmu, jam qujt i papjekur dhe i paaftë me e kuptu ‘politikën'”.
Por, ai pohon se politika që ka besuar “s’ka qenë kjo”.
“Për mua, politika ka qenë përgjegjësi, integritet dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit e pasurimit pa bazë e pa shpjegim”, potencon ai.
Prandaj, Dervishaj thekson se “nuk kuptoheshim”. “Sepse nuk po flisnim për të njëjtën politikë, e as për të njëjtat vlera”.









