Me një pjesëmarrje masive nga të gjitha trojet shqiptare, nën tinguj të këngëve patriotike, me flamuj kombëtar e të UÇK-së, me thirrje “drejtësi për çlirimtarët” dhe pa asnjë incident ka përfunduar protesta kundër Gjykatës Speciale në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”.

Nën moton “Unë jam UÇK”, protesta kundër Speciales e në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ka filluar në ora 17:00 dhe ka zgjatur pak më shumë se një orë.

Morën pjesë personalitete të rëndësishme publike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi e diaspora. Ndër ta, Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Nuk munguan as familjarët e disa prej ish-krerëve të UÇK-së, si djali i Hashim Thaçit dhe ai i Kadri Veselit. Po ashtu, ishin edhe deputetë të PDK-së e AAK-së dhe funksionarë të shtetit shqiptar.

Në fjalën e tij, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, tha se protesta nuk ka lidhje me politikën dhe se nuk po kërkojnë mëshirë, por drejtësi.

“Kjo protestë nuk ka lidhje me politikën, ajo është e popullit shqiptar, në zemrat e shqiptarëve. Ne nuk po kërkojmë mëshirë, po drejtësi. Po kërkojmë barazi para ligjit dhe para historisë”, tha Gucati.

Nga Tirana, Gucati deklaroi se “po i themi botës se Kosova ka luftuar për liri dhe për çlirim”. “Krerët e UÇK-së nuk ishin kriminelë, por bijtë tanë të këtij kombi që dhanë gjithçka për atdheun”, pohoi ai, duke shtuar se “ne deklarojmë qartë se Gjykata Speciale ka humbur çdo besim tek shqiptarët”.

Edhe pse në moshë të shtyrë, foli edhe ish-presidenti Moisiu. Si një njeri që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar si ushtarak, ai deklaroi se krerët e UÇK-së nuk kanë kryer krime, por kanë kryer detyrën.

“Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore, çlirimin e Kosovës dhe popullit të vet”, tha Moisiu në fjalën e tij.

Ai theksoi se në Tiranë janë mbledhur “për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar”. “Jemi këtu për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po bëhet ndaj bijve më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së”.

“Besoj që drejtësia do të bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër udhëheqësve të UÇK-së. Ata janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse që përpiqen të njollosin luftën për çlirimin e Kosovës”, deklaroi Moisiu.

Protestuesve iu drejtua edhe Ali Ahmeti, njëri nga themeluesit e UÇK-së. Aktakuza e Speciales ndaj bashkëluftëtarëve të tij nuk është asgjë më shumë sesa riciklim i akuzave të mëparshme ndaj ushtarëve të UÇK-së.

“Sot të gjithë jemi dëshmitarë se aktakuza s’ka të bëj me trafikim organesh por është një riciklim i akuzave të mëparshme ndaj Ramushit [Haradinaj], Fatmirit [Limaj] e të tjerëve. Sot ata po gjykohen si çlirimtarë, si njerëz që e kanë kapur pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe popullin e vet nga gjenocidi serb”, deklaroi Ahmeti.

Kjo është protesta e tretë me radhë që zhvillohet kundër Gjykatës Speciale. Para kësaj janë mbajtur edhe në Prishtinë dhe në Hagë,  ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta në Tiranë nuk do të jetë e fundit e këtij lloji. Pritet që së shpejti e radhës të mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.