Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ka dhënë një ultimatum të ashpër Nicolás Maduros që të largohet menjëherë nga Venezuela, para se të njoftonte se hapësira ajrore e vendit duhet të mbyllet.

Sipas Miami Herald, paralajmërimi i Uashingtonit iu përcoll në një telefonatë dhe përfshinte një evakuim të garantuar për Maduron, gruan e tij Cilia Flores dhe djalin e tyre, por vetëm nëse diktatori pranonte të jepte dorëheqje menjëherë.

Sipas zyrtarëve amerikanë, biseda ngeci dhe brenda pak orësh Uashingtoni e rriti ndjeshëm presionin.

Bllokada që pasoi, sipas një burimi që foli për gazetën, lidhej me kërkesën e Maduros për “amnisti globale për çdo krim që ai dhe grupi i tij kishin kryer, dhe kjo u refuzua”.

“Së dyti,” vazhdoi burimi, “ata kërkuan të mbanin nën kontroll forcat e armatosura, e ngjashme me atë që ndodhi në Nikaragua më 1991 me Violeta Chamorro. Në këmbim, ata do të lejonin zgjedhje të lira”.

Çështja e fundit ishte koha, raporton gazeta, pasi Uashingtoni kërkoi që Maduro të jepte dorëheqjen menjëherë por ai refuzoi.

Trump njoftoi të shtunën se hapësira ajrore e Venezuelës do të konsiderohej “e mbyllur në tërësi”.

Herald raportoi gjithashtu se qeveria e Maduros u përpoq të caktonte një telefonatë tjetër me Uashingtonin, por nuk mori asnjë përgjigje.

Sipas një eksperteje të mbrojtjes, e njohur me ushtrinë e vendit dhe lidhjet e saj me kartelet e shtetit, Maduro dhe figurat kyçe të regjimit të tij mund të përballen tani me kërcënimin më serioz ndonjëherë.

“I mendoj se operacionet do të fillojnë së shpejti”, tha ish-diplomatja venezueliane Vanessa Neumann për Fox News Digital.

“Mbyllja e hapësirës ajrore është një tregues dhe një paralajmërim i qartë publik se raketat mund të jenë duke ardhur për të shkatërruar komandën dhe infrastrukturën e kontrollit ose çdo infrastrukturë hakmarrëse”, tha Neumann. “Kjo nuk do të jetë si të thyesh një enë në një mijë copa; këtu synohet heqja e përqendrimit të pushtetit, dhe kështu është më e lehtë për t’u menaxhuar”, shton.

Të dielën, Trump u tha gazetarëve në bord të Air Force One që të mos “lexonin asgjë më shumë” në shpalljen e mbylljes së hapësirës ajrore të Venezuelës, kur u pyet nëse një sulm ishte i afërt.

“Maduro gjithashtu nuk ka shumë opsione, dhe ushtria e tij është shumë e dobët,” paralajmëroi Neumann. “Nuk mund të godasësh 30 persona njëkohësisht, që janë të shpërndarë gjithandej, por padyshim, në krye të listës do të ishte vetë Maduro”.

Forcat e armatosura të Venezuelës, dikur ndër më të fortat në Amerikën Latine, janë dobësuar nga korrupsioni, sanksionet, dezertimet dhe mungesa e mirëmbajtjes për vite me radhë. Shumica e pajisjeve të tyre, sipas Neumann, nuk janë servisuara kurrë.

“Materiali i tyre është tepër i vjetër, i dëmtuar dhe i paservisuara,” shpjegoi ajo.

“Kanë skrap nga rusët. Pajisjet që kishin nga amerikanët janë dekada të vjetra dhe nuk janë servisuara. Pra, ata nuk kanë as personel, as mbështetje të huaj, as pajisje”.

Para mbylljes së hapësirës ajrore, SHBA-ja gjithashtu shpalli zyrtarisht kartelin e lidhur me qeverinë e Venezuelës, Cartel de los Soles, si një organizatë të huaj terroriste.

“Ky kartel e ktheu kompaninë kryesore të naftës së Venezuelës në një operacion pastrimi parash nga trafiku i narkotikëve, duke përdorur qasjen e kompanisë në financat ndërkombëtare, deri sa u vendosën sanksione,” shpjegoi Neumann, e cila ka punuar me qeveri për të luftuar krimin e organizuar transnacional të lidhur me këtë grup.

“Ata përdornin avionët ushtarakë venezuelianë për të sjellë kokainë nga Kolumbia, për ta përpunuar në Venezuelë, dhe më pas për ta dërguar në Amerikën Qendrore dhe më tej në Europë.”

Në fakt, në shtator, Parlamenti Europian votoi gjithashtu pro që BE-ja ta shpallte Cartel de los Soles si organizatë terroriste.

“Cartel de los Soles është gjithashtu bashkëpunues dhe financues kyç i Hezbollahut, dhe një pjesë e parave nga droga janë përdorur për të financuar sulme terroriste që kanë vrarë qytetarë amerikanë, madje edhe në Lindjen e Mesme”, shton Neumann, CEO e Asymmetrica Group, një kompani që merret me bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

SHBA-ja ka rritur gjithashtu një fushatë ushtarake dhe të inteligjencës kundër rrjeteve të trafikut të drogës të lidhura me Venezuelën, përfshirë sulmet kundër anijeve të dyshuara të narkotikëve.