Protesta kombëtare kundër femicidit ka nisur këtë të shtunë në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur para Katedrales “Nënë Tereza”, për të kërkuar drejtësi për gratë e vrara dhe përgjegjësi institucionale për rastet e dhunës ndaj grave në Kosovë.
“Drejtësi për gratë e vrara”, “Edhe sa?” dhe “A ka shtet për gratë?” janë disa nga mesazhet e vendosura në pankartat e protestuesve.
Në mesin e thirrjeve të protestuesve është edhe mesazhi: “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë”, drejtuar institucioneve për mungesën e përgjegjësisë dhe reagimit ndaj dhunës ndaj grave.
Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili ka bërë thirrje për pjesëmarrje mbarëkombëtare, me kërkesë të veçantë për drejtësi për Arlinda Zekajn, e vrarë në shtëpinë e saj në Pejë.
Përmes kësaj proteste, organizatorët kërkojnë llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse, shpalljen e femicidit si urgjencë kombëtare dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.
Kolektivi ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi për dështimet institucionale në rastin e Arlindës, duke theksuar se protesta nuk është vetëm për gratë që janë vrarë, por edhe për të gjitha gratë dhe vajzat që kërkojnë të jetojnë të sigurta në Kosovë.









