Në formë ultimatumi, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe deputetes Albulena Haxhiu, që të reflektojnë në lidhje me konstituimin e Kuvendit, përndryshe do të përballen me pasoja.

Haradinaj, në një intervistë televizive, ka bërë të qartë se nuk do ta lejojë kryeministrin në detyrë që të bëjë, siç ka thënë ai, “hajgare” me Kosovën.

“Mos ta vazhdon këtë gjendje kështu se nuk ka me i shku kështu. Unë po i them seriozisht edhe atij (Kurtit) edhe asaj kandidates (Haxhiu) mos e vazhdoni më kështu se nuk ka me iu shku. Keni me Ia pa sherrin edhe personalisht se nuk lejojmë me bë hajgare me vend pakufi”, deklaroi kreu i AAK-së.

Në prizmin e tij, Kurti, me situatën që e ka krijuar me bllokimin e Kuvendit, e ka “tepruar”.

“Ose këndelleni ose do të ballafaqoheni”, ka paralajmëruar ish-kryeministri.

Askush, ka thënë i vendosur Haradinaj, nuk është i paprekshëm në Kosovë.

“Ka pas edhe tjerë sikur këta që kanë menduar se janë të paprekshëm, sikur e kanë prekur zotin me dorë. Mirëpo, populli i ka do rregulla të veta dhe njerëzit i kanë do rregulla të veta. Duke ndryshuar gjendjen shumë herë në vend e ndryshojmë edhe me këtë”, shtoi.

Edhe hedhja e gazit lotsjellës – një praktikë e VV-së në opozitë – është mundësi e kundërshtimit të Kurtit, ka paralajmëruar tutje ai. “Është mirë me filluar me ja nxi jetën këtij njeriu”

“Atë [Kurtin] nuk është mirë me lënë me dal as në rrugë. Duhet t’ia kthejmë vezët që na hedhke, duhet me t’ia kthejmë gazin që na hedhke, duhet t’ia kthejmë të gjitha e t’i themi: zotëri nuk mundesh me mbajtë peng vendin se nuk është ky vend jetim”, potencoi Haradinaj ndër të tjera.

Ky qëndrim i fortë i kryetarit të AAK-së vjen pas 34 seancave të dështuara për konsitutimin e Kuvendit të Kosovës. Krejt kjo pasi që VV nuk është duke u tërhequr nga kandidatura e Haxhiut.