Nga Qendra e Paraburgimit në Hagë, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, rrëfeu për një episod të errët me ish-Kryeministrin e Norvegjisë, Thorbjørn Jagland, gjatë kohës kur ky udhëhiqte me Këshillin e Evropës.

Thaçi, në intervistën dhënë në Kanal 10, tregoi se Jagland,  përmbajtjen e raportit famëkeq të ish-senatorit zviceran, Dick Marty kundër UÇK-së, e cilësonte si të ishin “shkronja nga Bibla”.

Për këtë çështje, Thaçi rrëfeu se i kishte kërkuar Jaglandit ta ndryshonte këndvështrimin, por që ai ia kthente se “është në kontakt mirëbesimi me liderë të tjerë kosovarë”, duke refuzuar kështu ta rishqyrtonte qëndrimin e tij për raportin që më pas shërbeut si bazë për themelimin e Gjykatës Speciale, por që pretendimet e tij nuk u trajtuan asnjëherë nga prokurorët.

Disa vjet më vonë, emri i Jagland u kthye në vëmendje të opinionit ndërkombëtar. Dosjet Jeffrey Epstein, ish-financierit amerikan të akuzuar për abuzim seksual me të mitura, tregojnë mijëra dokumente në të cilat vërtetohet lidhja e ish-kryeministrit norvegjez me Rusinë.

“Përshëndetje Jeffrey, po, jam duke e ndjekur këtë çështje. Por kanë kaluar vetëm disa ditë që kur kam folur me Putinin. Burokracia ruse është një ‘bishë’ e vështirë”, thuhet në njërin prej mesazheve që Jagland ia dërgonte Jeffrey Epstein, në të cilin konfirmohej raporti i tij i ngushtë me rusët dhe Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Në të tjera mesazhe, vërtetohej se Jagland kishte qenë në ishullin famëkeq të Epstein.

“Përshëndetje zoti Jagland. Unë do t’ju ndihmoj me udhëtimin tuaj për në Palm Beach dhe më pas në ishullin e Jeffrey-t… Jeffrey ma ka përcjellë informacionin e mëposhtëm”.

Apo këto tjera, ku ai shprehte preferencat e tij për vajzat shqiptare.

“Përshëndetje Jeffrey, jo, ende nuk kam telefonuar. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri) — vajza të jashtëzakonshme”, i drejtohej Jagland, Jeffrey Epstein-it.

Si përfundim, pronat e Jagland në Oslo të Norvegjisë u bastisën nga forcat speciale e për rrjedhojë ish-diplomati tani po akuzohet për korrupsion pas daljes në publik të dosjeve të Epstein.

Për këto zhvillime, befasi nuk shpreh ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Atë kohë unë nuk i dija saktësisht këto lidhje, por veprimet e tyre në raport me Kosovën me kishin bindur se ata çonin ujë në mullirin e Moskës dhe Beogradit”, tha ish-Presidenti.