Në Prishtinë, para objektit të Ministrisë së Bujqësisë, këtë të hënë kanë protestuar blegtorët.
Ata, në shenjë pakënaqësie me inspektimin e kryer nga shteti në qumështoren “Vita”, kanë derdhur qumësht para objektit të Ministrisë.
Më pas, ata u dakorduan që të shkojnë në një takim me ministrin e Bujqësisë, Armend Muja, dhe me sa duket nga aty dolën të kënaqur.
Sipas përfaqësuesve që ishin në takim, u tha se aty u dakorduan që nga sonte kompania “Vita” do të fillojë me grumbullimin e qumështit të freskët, ndërsa institucionet do të nguten në publikimin e rezultateve nga mostrat e marra.
“Nga qumështorja u zotuan që nga sonte do të fillojë grumbullimi i qumështit të freskët prej fermerëve. U arrit një marrëveshje e përbashkët, e përkohshme, dhe po shpresoj që edhe në takimet e radhës do t’i zgjidhim edhe problemet tjera”, tha përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve, Fidan Krasniqi, pas takimit.
Thirrja u bë përsëri që rezultatet duhet të dalin sa më shpejt.
“Pas një diskutimi të gjatë edhe me ministrin, edhe me përpunuesin, edhe me prodhuesit, të gjithë akterët u zotuan që Ministria, në këtë rast më konkretisht AUV-i, në një afat sa më të shpejt do të dalë me rezultatet nga mostrat e marra në qumështore. Arsyeja e vonesës së këtyre rezultateve është se nuk është në pyetje vetëm qumështorja ‘Vita’. Mostrat janë marrë edhe në shumë qumështore të tjera dhe, për shkak të disa specifikave të analizave që do të bëhen në këto produkte, ne po shpresojmë që këto rezultate do t’i kemi sa më shpejt”, deklaroi Krasniqi.
Ministria e Bujqësisë tha se për takimin do të dalë me një komunikatë për media.









