Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka rrëfyer episode të padëgjuara më parë që i përkasin marsit të 1999-ës, kur ai ishte nisur për në Paris.
“Ora 13:00 ishte planifikuar që delegacioni i Kosovës të udhëtonte drejt Parisit. E dija se udhëtimi këmbë për të mbërritur në Rinas të Tiranës do të zgjaste dy-tri ditë. Nëse do mbërrija i gjallë. Koha nuk premtonte, situata ishte emergjente”, fillon rrëfimi i Thaçit në RTV Dukagjini.
“Në mendje më silleshin dy ngjarjet nga lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë: ajo e kidnapimit dhe mbajtjes peng të presidentit Alija Izetbegoviq në aeroportin e Sarajevës nga serbët në maj të vitit 1992, si dhe nxjerrja me dhunë nga makinat shoqëruese të ndërkombëtarëve e zëvendëskryeministrit të Bosnjës, Hakija Turajlic, në janar të vitit 1993 dhe vrasja e tij nën “mbrojtjen” e tyre”, shton.
Ai rrëfen se si amerikanët i kishin këshilluar të udhëtonte përmes Sllatinës në atë periudhë. Thotë, se kjo ishte sigura më e madhe që mund t’i ofrohej.
“Para se të vendos përfundimisht, fola në telefon me ekipin e ngushtë të sekretares Olbrajt; më këshilluan të udhëtoja përmes Sllatinës. Nuk kisha ku të merrja siguri të nivelit më të lartë sesa nga Uashingtoni. Çdo dilemë tjetër nga ana ime do të ishte e tepërt. Do të lija përshtypjen e një njeriu frikacak apo me paranojë”, thotë.
Thotë se kishte informuar ekipin amerikan se “do të jetë i pajisur me teknikën e tij vetëmbrojtëse”.
“Për vendimin tim shpejt e informova ekipin amerikan që vepronte në Kosovë. Por me një kusht: gjatë rrugës do të jem i pajisur me teknikën time vetëmbrojtëse, amerikanëve kjo çështje nuk u prishi fare punë. Ata kërkuan vetëm që të jem i veshur me rroba civile. Edhe ashtu isha veshur në xhinse dhe me xhaketë. Personalisht kurrë nuk kam qenë ithtarë i uniformës ushtarake; armën e kam urryer gjithmonë, por çka të bëjmë, Serbinë e kishim mbi kokë. U bëmë luftëtarë, segmentet e gjithë shoqërisë kosovare, me ose pa uniformë”.
“Mora me vete emblemën e UÇK-së. E futa në xhepin e këmishës, ngjitur me zemrën”, rrëfen.
“Pasditen e hershme u nisëm nga fshati Sedllarë i Drenicës; na shoqëronin pjesëtarët e misionit amerikan dhe francez, kishte edhe perëndimorë të tjerë. Për të mbërritur në cak, duhej të kalonim përmes disa pikë-ndalimeve serbe. Pas rreth 15 minutash po i afroheshim postbllokut më famëkeq në Kosovë përgjatë rrugës Pejë-Prishtinë, udhëkryqit në Komoran të Drenasit”.
“Sa më shumë i afroheshim forcave serbe, aq më shumë rritej tensioni në botën time të brendshme. Përpiqesha të ruaja qetësinë, për shumë vite më kërkonin, edhe unë i kisha kërkuar në formën time. Po shkoja drejt e në gojë të ujkut. Kjo që po bëja ishte kundër vullnetit tim, por arsyeja dhe ndërgjegjja më mundën. Tani nuk isha vetëm vetvetja”, vazhdon rrëfimin Thaçi.
“Shpejt u ballafaquam ballë për ballë; me disiplinë shtetërore, me urdhër nga lart, hapën rrugën për eskortën ndërkombëtare me pasagjerë vendorë. Kaluam. E dija se pas pak kilometrash ishte ndalesa tjetër tek Kroi i Mbretit. Befasisht, stacioni i radhës u hap si me sustë; forcat serbe rrinin anash rrugës të pozicionuara, por nuk reaguan”.
“Me t’u afruar tek kthesa në Sllatinë, në drejtim të aeroportit, vërejta trupa serbe në oborret e shtëpive shqiptare; kishin ndezur zjarre, po ngroheshin, me gota rakie në dorë – rituali i zakonshëm i tyre, edhe nga ballkonet dhe dritaret na vëzhgonin, ishin në gjendje gatishmërie luftarake. Trupuam shpejt edhe binarët e hekurudhës e linjës F. Kosovë-Lipjan. Ngadalë po i afroheshim aeroportit. Drama po vazhdonte. Vetëm pak orë më herët nuk kisha mundur të imagjinoja se mund të ndodhte një kthesë kaq e madhe e ngjarjeve. Për Kosovën po ndryshonin epokat. Po ndërronin shekujt”.
“Duke iu afruar pjesës ballore të aeroportit, vërejta se po hapej një derë e vyshkur metalike; para syve u shfaq pista e aeroportit. Policë me uniformë dhe civile, me armë të gjata dhe të shkurtra. Askush nuk bënte zë. Nëpër dritare dhe jashtë ndërtesës administrative kishin dalë punëtorë, të cilët na vështronin me kureshtje. Punë sekondash mbërritëm tek hyrja e aeroplanit ushtarak francez; aty ishin ngulur si të ngrirë tre-katër persona civile me syze të zeza”.
“Njëri prej zyrtarëve të UÇK-së, me të cilin ishim së bashku në makinë, m’u drejtua: “I shikon ata? Janë punëtorë të UDB-së, janë ata që më kanë arrestuar dhe keqtrajtuar në fillim të viteve të tetëdhjeta (dy prej tyre)”. Ia ktheva: “Kësaj radhe nuk do të ketë arrestim. Nëse na mësyjnë, o ne o ata”.
“U përshëndetëm me anëtarët e delegacionit që kishin ardhur nga Prishtina; ishin në pritje të pjesës së delegacionit që po zbrisnim nga bjeshkët e Kosovës me emblemën e UÇK-së si dokument udhëtimi, pa nevojë për pasaportë apo viza”.
“Dikush po lexonte ndonjë gazetë dikush tjetër ndonjë libër, disa veç po shtriheshin, po mbuloheshin me batanije apo mantele personale për t’u ruajtur nga i ftohti. Shumica ishin kujdesur të mbështilleshin me shalle të trashë dhe kapela leshi. Interesant të gjithë po frikësoheshin se mos po ftoheshin. Unë veç isha i ftohur. Secili bisedonte me secilin. Marrëveshja do të nënshkruhej. Merrnim frymë më lirshëm”, rrëfen Thaçi.









