Më e rëndë dhe e gabuar se riparimi në Serbi i vagonëve të Kosovës, vetëm disa muaj pasi Serbia tentoi aneksimin e një pjese të Kosovës, mund të jetë arsyetimi i Artane Rizvanollit.
“Përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi. Në fakt, sipas ligjit aktual të Prokurimit Publik, ndërmarrja publike nuk mund të ndërhyjë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve. Operatori privat fitues i tenderit ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur mund t’i riparonte vagonët.”
Në pak sekonda, një grumbull të pavërtetash, hipokrizish, por edhe material të vlefshëm për prokurorinë për tenderin 423 mijë eurosh.
Me një arrogancë në kulm, Rizvanolli po thotë se shteti i Kosovës, pak muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe u cenua rendi kushtetues, nuk paska pasur mundësi e as të drejtë ta anulojë një tender ku punëkryesi dhe përfituesi kryesor është Serbia dhe kompani të saj.
Si ka mundur shteti i Kosovës, me kaq lehtësi, pesë muaj pasi terroristët nga Serbia hynë në Kosovë me kamioneta me armatim, t’ia besojë riparimin e pesë vagonëve, pronë e shtetit dhe në shërbim të qytetarëve, një kompanie në Serbi?
Në shtetin që, 27 vjet më parë, edhe me vagona treni, dëboi gati 1 milion qytetarë.
A është interesuar Qeveria ndonjëherë, të pyes, të hulumtojë nëse kompania serbe Sinvoz ia ka kryer punë e shërbime ushtrisë së Serbisë?
Është absurde të dëgjosh një ministre-deputete, që nuk e ditka dhe, çuditërisht, as nuk e ka hulumtuar se kush tjetër në rajon, Kroacia apo Sllovenia, për shembull, riparon vagonë – e gazin amerikan, me shumë zell e refuzon dhe paraqitet sikur ka shumë njohuri se nga vjen ai gaz, sa kushton, a është i leverdishëm dhe kush qëndron prapa tij.
Qesharake është kur Rizvanolli flet për pavarësi e institucionale e mos ndërhyrje, kur ajo me kënaqësi ndërhynte në procedurat e punësimit të Kryeshefit në Ibër-Lepenc.
Në fakt, është krejt e qartë se ky proces riparimi nuk ka kaluar nga naiviteti, as nga pamundësia e procedurave apo për shkak të respektimit të ligjeve.
TrainKos dhe Qeveria e kanë ditur qysh në fillim se riparimi do të ndodhte në Serbi. Dhe kjo do të bëhej kundërligjshëm.
Në Ligjin për Prokurimin, në Rregulloren për Prokurimin Publik, në njoftimin për hapjen e tenderit për riparim, më 15 shkurt 2024, dhe në Kontratën mes TrainKos dhe Profitech, një nga kriteret e detyrueshme është që ofertuesi duhet të deklarojë nënkontraktorin, punët që do të kryejë ai dhe vendin e punëtorisë.
Madje, në Kontratën mes TrainKos dhe Profitech shkruan se çdo nënkontraktim duhet të aprovohet nga autoriteti kontraktues – në këtë rast ndërmarrja TrainKos.
Nëse kompania fituese e tenderit, Profitech sh.p.k., e ka deklaruar si nënkontraktues kompaninë Sinvoz nga Zrenjanini i Serbisë, në momentin e aplikimit, autoritetet kosovare e kanë ditur dhe aprovuar riparimin në Serbi dhe, përkundër situatës së asaj kohe, paturpësisht nuk kanë vepruar, por e kanë miratuar prapa syve të publikut.
Por këtu duket se gjërat kanë shkuar ndryshe dhe kundërligjshëm në disa drejtime.
Në kontratën mes TrainKos dhe Profitech nuk figuron askund nënkontraktori, në këtë rast Sinvoz nga Zrenjani – ndonëse ka qenë kriter i detyrueshëm.
Në Rregulloren për Prokurimin Publik është i ndaluar nënkontraktimi gjatë ekzekutimit të kontratës.
Nëse kompania fituese nënkontraktorin nuk e ka deklaruar, por e ka siguruar tek pas tenderit, si iu lejua kjo?
Nga deklarimet e ministres del se punëkryesi kryesor, në realitet i gati 100% të punëve, ka qenë Sinvoz në Serbi.
Vëmendje këtu, sepse kjo është e jashtëligjshme.
Rregullorja e Prokurimit specifikon qartë se nënkontraktori nuk bën të tejkalojë 40% të vlerës së kontratës, punëve dhe mjeteve financiare.
Kur krejt kjo ngjarje po zhvillohej prapa perdeve, qeveria po ia besonte vagonat Serbisë, po e paguante për shërbimin, në publik shpërndaheshin retorika populiste, duke i kërkuar perëndimit sanksionimin e Serbisë.
Në krejt këtë grumbull gënjeshtrash e hipokrizish, janë disa të vërteta të pamohueshme.
Shteti e dinte dhe e aprovoi riparimin në Serbi, pesë muaj pas agresionit brutal në veri.
Dhe këtë e bëri me metoda e procedura të jashtëligjshme.
Nëse më e rëndësishme për këtë pushtet ka qenë riparimi i disa vagonëve në vitin 2024 sesa dinjiteti shtetëror, sot është e domosdoshme dhe e dinjitetshme që krejt këtë proces ta hetojë e ta riparojë prokuroria – nëse është e pavarur, natyrisht.








